Diaspora e Kosovës thyen rekordin e 2021-tës, mbi 142 mijë mërgimtarë aplikuan për votim
Diaspora e Kosovës ka shënuar numër rekord aplikimesh për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, me mbi 142,000 kërkesa të regjistruara deri në mbyllje të afatit, njoftoi të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Shifra e këtij viti t...
Diaspora e Kosovës ka shënuar numër rekord aplikimesh për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, me mbi 142,000 kërkesa të regjistruara deri në mbyllje të afatit, njoftoi të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Shifra e këtij viti tejkalon rekordin e mëparshëm prej 130,000 aplikimesh të vendosur në zgjedhjet e vitit 2021.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, nga 142,803 kërkesa të pranuara përmes platformës elektronike:
109,696 janë aprovuar deri më tani.
7,325 janë refuzuar.
25,702 janë ende në proces shqyrtimi.
Pjesa dërrmuese e votuesve nga jashtë kanë zgjedhur postën si metodë votimi. Nga aplikimet e aprovuara, rreth 82,000 shtetas do të dërgojnë votat e tyre në kutitë postare jashtë vendit, ndërsa afro 25,000 janë regjistruar për të votuar fizikisht në misionet diplomatike.
Votimi përmes postës do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor. Ndërkohë, votimi fizik në 48 përfaqësi diplomatike të Kosovës në mbarë botën do të organizohet më 6 qershor, një ditë para procesit zgjedhor brenda vendit.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.