Digjitalizimi në RMV gjatë 2024: Përparim i kufizuar me shumë mangësi

Digjitalizimi ka dëshmuar se është faktor kryesor në transformimin e shoqërive dhe tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, demokratik, social dhe kulturor. Përmes digjitalizimit shërbimet publike dhe private mund të ofrohen më shpejt; dhe më me efikasitet. Platformat digjitale rrisin transparencën dhe zvogëlojnë korrupsionin, mundësojnë menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit dhe burimeve natyrore. Maqedonia e […]

Jan 8, 2025 - 11:00
 0  4
Digjitalizimi në RMV gjatë 2024: Përparim i kufizuar me shumë mangësi
Foto e krijuar me Inteligjencë Artificiale në Bing dhe Canva

Digjitalizimi ka dëshmuar se është faktor kryesor në transformimin e shoqërive dhe tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, demokratik, social dhe kulturor. Përmes digjitalizimit shërbimet publike dhe private mund të ofrohen më shpejt; dhe më me efikasitet. Platformat digjitale rrisin transparencën dhe zvogëlojnë korrupsionin, mundësojnë menaxhimin e qëndrueshëm të mjedisit dhe burimeve natyrore. Maqedonia e Veriut vazhdoi të përballet me sfidat e digjitalizimit edhe në vitin 2024, Portalb.mk sjell një retrospektivë se çfarë ndodhi në këtë fushë gjatë vitit që lamë pas.

Raporti i KE-së: Digjitalizimi me shumë mangësi

Për ta pasqyruar nivelin e digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit që po e lëmë pas do nisim me vlerësimin e Raportit të progresit.

Vlerësimi gjithëpërfshirës i KE-së në raportin e progresit për situatën e digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut është se, megjithëse ka pasur disa përparime, përpjekjet për digjitalizim janë ende në faza të hershme dhe kanë shumë mangësi. Shërbimet digjitale janë në zhvillim, por shumë procedura mbeten offline dhe kërkohet përmirësim i portalit elektronik. Vendi duhet të harmonizojë legjislacionin me normat evropiane dhe të rrisë aftësitë digjitale, sidomos për bizneset e vogla dhe zonat rurale. Pavarësisht përparimeve në infrastrukturën e internetit dhe 5G, administrata dhe sektori i sigurisë kibernetike kërkojnë digjitalizim dhe forcim. Sektorët e shëndetësisë dhe energjisë gjithashtu kërkojnë përpjekje për digjitalizim e me këtë edhe transparencë dhe modernizim

Nevojitet strategji nacionale për shërbime komunale dhe digjitalizim

Në fillim të vitit 2024, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, doli me një analizë ku në fokus kishte shërbimet elektronike që ofrohen nga komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Analiza nxori në pah se është e nevojshme që të krijohet një strategji nacionale për shërbimet komunale dhe digjitalizimin, në mënyrë që pa dallim nëse njësia është nga qyteti apo fshati, të gjithë të kenë të njëjtin progres digjital.

Ajo që është e nevojshme të bëhet kur bëhet fjalë për përmirësimin e gjendjes me shërbimet elektronike është një vlerësim i rregullt dyvjeçar i zhvillimit të shërbimeve elektronike në nivel lokal duke përdorur metodologjinë LOSI të KB-së.

Ministri e Transformimit Digjital

Pas zgjedhjeve parlamentare dhe me ndryshimin e pushtetit Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës Publike u riemërua si Ministria e Transformimit Digjital. Një sinjal ky se digjitalizimi në qeverinë e re do të merr trajtim ndryshe dhe më serioze se në të kaluarën.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, që në paraqitjet e para në fjalimet e tij e ka theksuar rëndësinë e transformimit digjital si prioritet kyç për Bashkimin Evropian.

Ministri Andonovski ka njoftuar se është transformuar tërësisht platforma “uslugi.gov.mk për të përmbushur nevojat e qytetarëve. Sipas tij, funksionet e reja udhëhiqen nga parimet e qasshmërisë, efikasitetit dhe transparencës.

Prokuroria me sistem të ri elektronik për menaxhimin e lëndëve

Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë në kuadër të projektit “BE – Mbështetje për sundimin e ligjit” ka nisur të zbatojë sistem të ri elektronik për menaxhimin e lëndëve. Fokusi i mbështetjes është në përgatitjen e specifikacionit teknik për implementimin e sistemit të ri elektronik për menaxhimin e lëndëve në Prokurorinë Publike.

Digjitalizimi mbetet sfidë për arsimin

Edhe pse viti 2024 nisi me objektivin që të vazhdojë me ritëm edhe më të shpejtë në digjitalizimin e procesit mësimor, rrugës u paraqiten shumë barriera, në shumë shkolla të Maqedonisë së Veriut ende nuk ka banka e tabela,ka shkolla ku ende ngrohen me dru, andaj digjitalizimi nuk është në rend të parë. Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë kanë thënë se nuk janë kundër digjitalizimit, por së pari kërkojnë sigurimin e kushteve elementare për ndjekjen e procesit mësimor.

Shumë zona rurale në rajonin e Likovës dhe Kumanovës në pjesën verilindore të Maqedonisë së Veriut ende nuk kanë qasje në internet, që është kushti kryesor për digjitalizimin e procesit mësimor.

Në një gjendje të tillë janë edhe disa shkolla fillore të komunës së Studeniçanit që ndodhet afër 20 kilometra nga Shkupi.

Procesi i digjitalizimit në arsimin fillorë ka nisur fillimisht me klasat e dyta dhe të katërta dhe më pas me të tretat dhe të pestat që më pas të vazhdojnë edhe me paralelet tjera, por për shkak të mungesës së kushteve, kryesisht me internetin dhe pajisjet e nevojshme, në shumë shkolla nxënësit kanë qenë të detyruar t’u kthehen librave të shtypur.

Autoritetet me shumë premtime 

Në një takim ndërinstitucional, Ministrat e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe Transformimit Digjital Stefan Andonovski premtuan digjitalizimin e shërbimeve të MPB-së, duke iu referuar procesit të dhënies së dokumenteve personale, i cili ende ka shumë vështirësi. Në takim u shqyrtua edhe mundësia e digjitalizimit të dokumenteve personale, përkatësisht krijimit të dokumenteve personale elektronike, zhvillimit të aplikacionit elektronik në fushën e lejeve për armë, si dhe mundësi të tjera për digjitalizimin e punës dhe proceseve në polici.

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari deklaroi se po punohet në zgjerimin e programit “Termini im” , ose ka mundësi të ketë digjitalizim të ri. “Ai përmendi edhe se tashmë është diskutuar për përdorimin e telemjekësisë – konsultimeve nga distanca.

Përndryshe, në Maqedoninë e Veriut ka nevojë të madhe për edukim digjital, por shtetit i mungon qasja strategjike për këtë çështje, veçanërisht për qytetarët që nuk janë pjesë e arsimit formal. Për planin vjetor të Qeverisë për vitin 2025, Fondacioni “Metamorfozis” ka propozuar nismën: Krijimi i një Strategjie Nacionale për Edukim Digjital. Ofrimi më i madh i mundësive për ndërtimin e shkrim-leximit digjital dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve të vendit ndaj kërcënimeve kibernetike vjen nga shoqëria civile, në mesin e tyre edhe Fondacioni “Metamorfozis” me aktivitetet e tyre.