Dilema e Trumpit për programin bërthamor të Iranit: Ta verifikojë apo ta shkatërrojë?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i habiti gati të gjithë kur njoftoi në Zyrën Ovale – gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu – se bisedime të drejtpërdrejta të nivelit të lartë për programin bërthamor të Iranit, janë caktuar për 12 prill në Oman. Nuk është e qartë nëse Irani donte ta […] The post Dilema e Trumpit për programin bërthamor të Iranit: Ta verifikojë apo ta shkatërrojë? appeared first on InfoShqip.com.

Prill 11, 2025 - 13:00
 0  5
Dilema e Trumpit për programin bërthamor të Iranit: Ta verifikojë apo ta shkatërrojë?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i habiti gati të gjithë kur njoftoi në Zyrën Ovale – gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu – se bisedime të drejtpërdrejta të nivelit të lartë për programin bërthamor të Iranit, janë caktuar për 12 prill në Oman.

Nuk është e qartë nëse Irani donte ta mbante të fshehtë këtë, por ministri i Jashtëm Abbas Araqxhi e ndjeu shumë të nevojshme të thoshte në pikë të natës, me kohën në Teheran, se bisedimet do të jetë të tërthorta, e kundërta e asaj që e tha Trumpi.

Pavarësisht formatit, të dyja palët e kanë paraqitur këtë si takim eksplorues për të kuptuar nëse bisedimet mund të zhvillohen.

Por, brenda titujve fshihet një debat më i thellë strategjik: Çfarë duan të bëjnë saktësisht Shtetet e Bashkuara me programin bërthamor të Iranit – ta mbikëqyrin rreptë apo ta shkatërrojnë plotësisht?

Trump ka qenë i qartë për qëllimin përfundimtar të Uashingtonit: Irani nuk duhet të lejohet kurrë të ketë ndonjë armë bërthamore. Ajo që ai nuk e ka thënë në mënyrë të prerë është nëse kjo nënkupton vendosjen e kufizimeve për programin bërthamor të Iranit, apo shkatërrimin e tij tërësisht.

Në vend të tij kanë folur anëtarët e lartë të administratës së tij, por ata kanë dërguar mesazhe kundërthënëse.

Steve Witkoff, i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, i cili do ta udhëheqë delegacionin amerikan në bisedimet në Oman, tha muajin e kaluar se Uashingtoni dëshiron ta krijojë “një program verifikues, në mënyrë që askush të mos shqetësohet për armët e mundshme që dalin nga materiali bërthamor i Iranit”.

Kjo nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara duan ta kufizojnë pasurimin e uraniumit dhe ta vendosin një mekanizëm mbikëqyrës për të garantuar se programi bërthamor i Iranit mbetet paqësor – për çfarë Irani pretendon se ka qenë gjithmonë qëllimi i tij.

Megjithatë, këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, dha një mesazh ndryshe pak ditë më vonë, duke theksuar se administrata kërkon “çmontim të plotë”, dhe shtoi: “Irani duhet të heqë dorë nga programi i tij në një mënyrë që e sheh e gjithë bota”.

Cili duhet të jetë synimi i SHBA-së?

Mbështetësit e shkatërrimit të plotë të programit bërthamor të Iranit thonë se kjo është mënyra e vetme e sigurt për të garantuar se Irani nuk do të zotërojë kurrë armë bërthamore.

Behnam Taleblu, drejtor i programit për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), me seli në Uashington, argumenton se Trump nuk duhet të merret me kontrollin e armëve.

“Në vend kufizimit, Irani duhet të detyrohet ta shkatërrojë tërësisht programin bërthamor”, tha Taleblu për Radion Evropa e Lirë (REL).

Ai e pranoi se shkatërrimi i tij është veprim “me rrezik të lartë”, por argumentoi se është i arritshëm dhe i domosdoshëm, përmes trysnisë, si rritja e sanksioneve dhe zhvillimi i stërvitjeve të përbashkëta ushtarake me Izraelin.

Më 9 prill, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj pesë entiteteve dhe një individi në Iran për mbështetjen e tyre për programin bërthamor, përfshirë edhe Organizatën për Energji Atomike të Iranit (AEOI).

Dhe, nëse bisedimet janë të pafrytshme, Taleblu tha se Trumpi duhet të jetë i gatshëm të largohet nga to.

“Republika Islamike do ta mendojë përnjëmend dorëzimin vetëm nëse e di që Amerika ka mundësi të vërtetë për t’u larguar nga bisedimet”, shtoi ai.

Një mbështetës i madh i shkatërrimit të plotë të programit bërthamor iranian është Netanyahu, i cili ka hedhur idenë e një “marrëveshjeje në stilin e Libisë,” një ide që Teherani e ka kundërshtuar kamotshëm.

Të tjerë argumentojnë se çdo kërkesë për shkatërrimin e plotë të programit do të vlerësohej në Teheran si vetëvrasje politike.

“Kërkesat e SHBA-së për shkatërrimin e plotë, ose një marrëveshje ‘në stilin e Libisë’, që përfshin prishjen e të gjithë programit bërthamor iranian, do të ishin të papranueshme për Teheranin”, tha Gregory Brew, analist për Iranin në Eurasia Group, me seli në Nju Jork.

Ai argumentoi se vendosja e një skeme verifikimi për të mbajtur nën kontroll programin bërthamor të Iranit “do të ofronte, të paktën, një bazë për diskutime të mëtejshme”.

Por, nëse Uashingtoni ngul këmbë për të rrënuar plotësisht programin bërthamor të Iranit, “bisedimet do të përfundojnë shpejt dhe rreziku për përshkallëzim ushtarak do të rritet”, shtoi Brew.

A është Irani i gatshëm të rrezikojë shkuarjen në luftë?
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, nga e cila Trump u tërhoq në vitin 2018, skadon zyrtarisht në tetor. Me përfundimin e saj, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta humbasë fuqinë për të rivendosur sanksione ndaj Iranit.

Pra, Perëndimit po i soset si koha, ashtu edhe me durimi.

Trump e ka paralajmëruar Iranin se do ta bombardojë, nëse nuk arrihet marrëveshje.

Franca, një tjetër anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe nënshkruese e marrëveshjes së 2015-ës, ka shprehur shqetësimin se mungesa e një marrëveshjeje të re do ta bëjë përplasjen ushtarake “pothuajse të pashmangshme”.

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në rajon. Prej javësh ato kanë nisur sulme ajrore kundër rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani, duke përdorur armatimin më të sofistikuar, kundër një grupi që as nuk ka forca ajrore.

“Këto dislokime i ofrojnë SHBA-së kërcënim të besueshëm ushtarak, i cili mund të përdoret për ta rritur trysninë mbi Iranin”, tha Brew.

“SHBA-ja po dërgon sinjale të qarta se është e gatshme për përshkallëzim, nëse bisedimet dështojnë, ose nëse Irani e përparon programin drejt armatimit”, shtoi ai.

Rreziqet për regjimin janë shumë të larta, theksoi ai.

Por, Taleblu beson se Irani është në thelb i kujdesshëm ndaj rreziqeve dhe nuk do të dëshirojë përballje ushtarake.

“Ka raste në histori – edhe pse të rralla – ku regjimi është tërhequr dukshëm nga një synim sigurie për të cilin kishte investuar shumë kapital”, tha ai.

“Kur Teherani ka ndier forcë dhe vendosmëri për shtimin e ndëshkimeve dhe imponimin e kostove me kalimin e kohës, që mund të kërcënojnë seriozisht regjimin, ai është tërhequr”, sipas tij.

Tani do të ketë diplomaci në Oman. Koha po soset. Pyetja është: kush do të tërhiqet i pari?

The post Dilema e Trumpit për programin bërthamor të Iranit: Ta verifikojë apo ta shkatërrojë? appeared first on InfoShqip.com.