Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën. Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Basha i mori 73 vota për, 30 kundër dhe tri abstenime. Në prag […]

gusht 26, 2025 - 13:00
 0
Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën.

Zgjedhja e Bashës kryeparlamentar i hap rrugën konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Basha i mori 73 vota për, 30 kundër dhe tri abstenime.

Në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i partisë së dytë më të madhe parlamentare, PDK, Memli Krasniqi kërkoi takim konsultativ mes partive parlamentare.

“Kërkesa për konsultë, sikurse atë ditë, edhe sot është për t’iu thënë Lëvizjes Vetëvendosje, se ai jeni i sigurt që dëshironi ta degradoni nivelin e përfaqësimit të Kuvendit të Kosovës duke e vendosur një kandidat, i cili, sipas neve, as nuk i plotëson kriteret e as nuk është i duhuri”, tha Krasniqi për media.

Ai theksoi se nëse Lëvizja Vetëvendosje “vërtet konsideron se Dimal Basha është kandidati më i mirë që ata kanë, ne do ta votojmë, edhe pse nuk besojmë se një gjë e tillë qëndron”.

PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t’i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.

Basha u zgjodh pas disa dështimesh pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.

Në tri seancat e kaluara, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje – të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar – i kishte hedhur pesë kandidatë në votim, por asnjëri prej tyre nuk i kishte marrë të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

Asnjëri prej Albulena Haxhiut, Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit, Donika Gërvallës, Dimal Bashës, nuk ia kanë dalë t’i marrin më shumë se 57 vota.