Dorëhiqet nga detyra kreu i Agjencisë Amerikane të Emigracionit
Drejtori në detyrë i agjencisë amerikane të emigracionit US Immigration and Customs Enforcement (ICE), e ngarkuar me zbatimin e fushatës së deportimeve masive të presidentit Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen. “Todd Lyons do të largohet nga detyra në fund të muajit maj”, njoftoi eprori i tij, sekretari i Sigurisë Kombëtare Markwayne Mullin, përmes një postimi […]
Drejtori në detyrë i agjencisë amerikane të emigracionit US Immigration and Customs Enforcement (ICE), e ngarkuar me zbatimin e fushatës së deportimeve masive të presidentit Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen.
“Todd Lyons do të largohet nga detyra në fund të muajit maj”, njoftoi eprori i tij, sekretari i Sigurisë Kombëtare Markwayne Mullin, përmes një postimi në rrjetin X.
Mullin vlerësoi punën e Lyons, duke theksuar se ai ka ndihmuar administratën Trump në largimin nga vendi të “vrasësve, përdhunuesve, pedofilëve, terroristëve dhe anëtarëve të bandave kriminale”.
“Falë drejtimit të tij, komunitetet amerikane janë më të sigurta,” shkroi ai. Nuk është bërë publik ndonjë shkak zyrtar për dorëheqjen.
Trump e emëroi Lyons në këtë post në mars të vitit 2025, ndërsa ai kishte rreth 20 vite përvojë në ICE.
Agjencia është përballur me kritika të shumta për operacionet e saj në qytete si Çikago dhe Mineapolis, ku janë përdorur agjentë federalë të maskuar kundër migrantëve.
Protestat u përshkallëzuan pasi agjentët e emigracionit qëlluan për vdekje dy persona në incidente të veçuara në Mineapolis në janar, duke nxitur demonstrata në mbarë vendin dhe rritur vëmendjen ndaj taktikave të ICE.
Edhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare, që mbikëqyr ICE, është kritikuar.
Ish-sekretarja Kristi Noem u shkarkua nga Trump në fillim të marsit.
Pasardhësi i saj, Mullin, ndodhet në detyrë prej më pak se një muaji dhe përballet me sfidën e uljes së tensioneve.
Sipas “Fox News”, Lyons dorëzoi letrën e dorëheqjes të enjten dhe planifikon të kalojë më shumë kohë me familjen.
Gjatë fushatës presidenciale, Trump kishte premtuar deportime në shkallë të gjerë të personave pa status të rregullt ligjor.
Në një seancë dëgjimore në Kongres në shkurt, Lyons deklaroi se ICE kishte kryer 379 000 arrestime gjatë vitit të parë pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe kishte deportuar mbi 475 000 persona nga SHBA.