“Drekonte me Agasin”, Salianji: Sulmet e Berishës, shprehje e frikës nga gara
Ervin Salianji deklaroi sot se sulmet që po bëhen ndaj tij nga Sali Berisha “janë shprehje e frikës nga gara e humbjes së privilegjeve” nga ana e kryedemokratit. Përmes një postimi në rrjetet sociale ish-deputeti demokrat vë në dukje se kush i shmanget garës, e ka humbur atë pa hyrë. Salianji thekson se nuk i […]
Ervin Salianji deklaroi sot se sulmet që po bëhen ndaj tij nga Sali Berisha “janë shprehje e frikës nga gara e humbjes së privilegjeve” nga ana e kryedemokratit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ish-deputeti demokrat vë në dukje se kush i shmanget garës, e ka humbur atë pa hyrë. Salianji thekson se nuk i trembet askujt dhe nuk do t’i shmanget asnjë përballje brenda selisë blu.
Berisha deklaroi dje se ndërkohë që ai sulmonte Ergys Agasin, Salianji drekonte me të, si dhe përdori Suel Çelën për të kërcënuar demokratët.
“Sulmet e Sali Berishës nuk janë as të rastësishme dhe as të sinqerta. Janë shprehje e qartë e frikës nga gara dhe humbjes së privilegjeve që e kanë bërë të destabilizohet dhe të shfaqë gjendje të rënduar psiko-emocionale! Kur mungojnë argumentet, dalin shpifjet. Kur mungon besimi te vetja, sulmohet tjetri. Unë nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve me pushtetin e Edi Ramës ndërsa Sali Berisha dhe rrethi i tij po! Kam paguar personalisht për qëndrimet e mia edhe me burg, me goditje politike, me sulme të vazhdueshme. Jo sepse u përkula, por sepse nuk u përkula. Të më akuzosh mua për lidhje me krimin është jo vetëm qesharake, por dëshmi e një paniku të thellë politik. Këto janë metoda të vjetra: shpif, baltos, frikëso sepse nuk përballon dot garën. Me mua nuk ja del dot!”, shkruan Salianji në rrjetet sociale.
“Përkundrazi, kërkoj garë të hapur, të ndershme, përpara demokratëve. Problemi nuk është mendimi ndryshe. Problemi është frika nga mendimi ndryshe. Problemi është frika nga një alternativë që nuk kontrollohet. Demokratët nuk kanë nevojë për etiketime dhe përjashtime, por për garë të vërtetë dhe përfaqësim të ndershëm. Kush i shmanget garës, e ka humbur atë që pa hyrë. Unë jam këtu. Në betejë. Pa frikë dhe derisa ta bëjmë opozitën fituese dhe te largojme autokratet në qeveri dhe opozitë!”, shprehet ai.