E akuzon për vrasjen e të krishterëve, SHBA bombardon grupin terrorist në Nigeri
SHBA ka kryer sulme ajrore vdekjeprurëse kundër grupit terrorist Shteti Islamik (IS) në veriperëndim të Nigerisë, njoftoi presidenti amerikan Donald Trump. Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump e përshkroi operacionin si një “goditje të fuqishme dhe vdekjeprurëse”, duke e quajtur IS “llum terrorist” dhe duke e akuzuar grupin për vrasje brutale të […]
SHBA ka kryer sulme ajrore vdekjeprurëse kundër grupit terrorist Shteti Islamik (IS) në veriperëndim të Nigerisë, njoftoi presidenti amerikan Donald Trump. Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump e përshkroi operacionin si një “goditje të fuqishme dhe vdekjeprurëse”, duke e quajtur IS “llum terrorist” dhe duke e akuzuar grupin për vrasje brutale të civilëve, veçanërisht të të krishterëve.
Komanda Afrikane e Ushtrisë Amerikane (Africom) konfirmoi se sulmet u kryen të enjten në bashkëpunim me autoritetet nigeriane, në shtetin Sokoto. Ministri i Jashtëm i Nigerisë, Yusuf Maitama Tuggar, tha për BBC se bëhej fjalë për një operacion të përbashkët kundër terroristëve dhe theksoi se aksioni “nuk kishte lidhje me një fe të caktuar”. Ai shtoi se operacioni ishte planifikuar prej kohësh dhe ishte bazuar në informacione inteligjence të siguruara nga pala nigeriane.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes publikoi një video që duket se tregon lëshimin e një rakete nga një anije ushtarake. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, falënderoi qeverinë e Nigerisë për bashkëpunimin.
Pretendimet e Trump për një gjenocid ndaj të krishterëve në Nigeri janë kundërshtuar nga grupe monitoruese dhe organizata të të drejtave të njeriut, të cilat theksojnë se dhuna ka prekur komunitete të të gjitha besimeve dhe se shumica e viktimave të terrorizmit në vend kanë qenë myslimanë.