Elezi dhe Stafaj: Ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë cenojnë rëndë autonominë universitare

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Cilësinë në Arsimin e Lartë kanë hapur një front të gjerë kritikash në mesin e stafit akademik në The post Elezi dhe Stafaj: Ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë cenojnë rëndë autonominë universitare appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

shkurt 10, 2026 - 08:30
 0
Elezi dhe Stafaj: Ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë cenojnë rëndë autonominë universitare

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Cilësinë në Arsimin e Lartë kanë hapur një front të gjerë kritikash në mesin e stafit akademik në universitetet publike, duke rikthyer në qendër të debatit çështjen e autonomisë universitare, financimit dhe të ardhmes së kuadrove të reja akademike. Dy zëra të fuqishëm nga akademia, profesorja Shiret Elezi nga Universiteti i Tetovës dhe profesori Ardian Stafaj nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, paralajmërojnë se propozim-ndryshimet përbëjnë ndërhyrje serioze strukturore që rrezikojnë themelet e arsimit të lartë publik, shkruan Gazeta Flaka.

Profesorja universitare Shiret Elezi vlerëson se Propozim-Ligji për arsimin e lartë, i vendosur në sistemin elektronik ENER, së bashku me Ligjin për cilësinë në arsimin e lartë, cenojnë rëndë autonominë e universiteteve. Sipas saj, krijimi i trupave të rinj drejtues brenda universiteteve ndryshon në mënyrë thelbësore balancën e pushtetit akademik.

Ajo thekson se përveç Rektorit dhe Senatit, parashihet krijimi i Këshillit të Universitetit, i cili do të ketë kompetenca për të çfuqizuar vendimet e organeve akademike dhe për të përcaktuar shpenzimet e lejuara për veprimtarinë universitare. Ky mekanizëm, sipas Elezit, përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në vetëqeverisjen universitare.

Një nga shqetësimet kryesore që ngre Elezi është përbërja e këtij Këshilli, ku anëtarët emërohen nga Qeveria me propozim të Ministrit të Arsimit. Ajo e cilëson këtë si një përzierje të paprecedentë të pushtetit ekzekutiv në punët e brendshme të universiteteve dhe si një formë të rrezikshme centralizimi të vendimmarrjes akademike.

Në fokus të kritikës së saj është edhe çështja e financimit. Elezi paralajmëron se ndryshimet ligjore kufizojnë shpenzimet që mund të mbulohen nga buxheti shtetëror dhe imponojnë përqindje të detyruara për përdorimin e mjeteve nga llogaritë vetanake të universiteteve. Kjo, sipas saj, ndikon drejtpërdrejt në pagat e stafit akademik, veçanërisht aty ku një pjesë e të ardhurave sigurohet përmes këtyre mjeteve.

Ajo veçon gjithashtu krijimin e një Këshilli Nacional, i cili do të përcaktojë shumën totale të financimit për secilin universitet, duke anashkaluar Ligjin për Buxhetin dhe procedurat kushtetuese për ndarjen e mjeteve publike. Sipas Elezit, ky mekanizëm e zhvesh universitetin nga çdo autonomi reale financiare.

Në aspektin akademik, Elezi kritikon ashpër ndryshimet në procedurat e rekrutimit dhe avancimit të stafit, nga asistentët e deri te titujt më të lartë akademikë. Vendosja e kritereve të ngushta që favorizojnë vetëm publikimet në Web of Science, duke përjashtuar Scopus dhe revista me redaktim ndërkombëtar, sipas saj, jo vetëm që nuk rrit cilësinë, por përjashton padrejtësisht kuadro me përvojë të fituar në institucione vendore dhe ndërkombëtare, duke dëmtuar transferimin e know-how drejt studentëve.

Një tjetër pikë problematike që ajo ngre është mundësia për mbylljen e programeve studimore dhe bashkimin apo fuzionimin e universiteteve pa pëlqimin e organeve të brendshme universitare, në kundërshtim me Kushtetutën. Rritja e kompetencave të Ministrit të Arsimit dhe të Këshillit për Cilësi, i cili sipas saj nuk siguron përfaqësim të drejtë dhe adekuat, e thellon më tej këtë centralizim.

Në anën tjetër, reagimi i stafit të ri akademik artikulohet fuqishëm nga profesori Ardian Stafaj nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, i cili thekson se ndryshimet e propozuara kanë shkaktuar pakënaqësi të thellë dhe reagime të ashpra në universitetet publike.

Sipas Stafajt, propozim-ndryshimet nuk e përfaqësojnë interesin e stafit të ri akademik dhe janë hartuar pa transparencë dhe pa respektimin e parimit të meritokracisë.

“Si staf i ri akademik, shprehim pakënaqësi të hapur ndaj një ligji që prodhon pasiguri, pabarazi dhe që mbyll dyert për gjeneratat e reja akademike. Pa transparencë, pa meritokraci dhe pa perspektivë, një sistem i tillë nuk mund të quhet reformë”, deklaron Stafaj.

Ai vlerëson se ligji favorizon struktura të vjetruara dhe hesht zërin e stafit të ri, duke e përjashtuar atë nga proceset vendimmarrëse që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e arsimit të lartë.

“Është e papranueshme që arsimi i lartë të ndërtohet duke i përjashtuar ata që sot dhe nesër e mbajnë gjallë shoqërinë. Heshtja nuk është më opsion”, thekson ai.

Stafaj rikujton se autonomia universitare është kategori kushtetuese dhe pjesë e rendit juridiko-politik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila nuk duhet të negociohet apo relativizohet për interesa politike afatshkurtra.

“Autonomia universitare duhet mbrojtur dhe forcuar. Ajo nuk është privilegj, por parakusht për arsim të lirë, cilësor dhe kritik”, shprehet profesori Stafaj.

Sipas tij, ndërhyrjet politike, vendimmarrja e centralizuar dhe kufizimi i kompetencave institucionale po e zbrazin autonominë universitare nga përmbajtja reale.

“Pa autonomi reale nuk ka liri akademike. Pa liri akademike nuk ka cilësi, kërkim shkencor dhe zhvillim shoqëror. Universitetet nuk mund të funksionojnë si zgjatime administrative të pushtetit, por duhet të jenë hapësira të dijes, debatit dhe mendimit kritik”, përfundon ai.

Reagimet e profesoreshës Elezi dhe profesorit Stafaj vijnë në një moment kur ndryshimet ligjore po prezantohen si reforma modernizuese, por sipas kritikëve nga akademia, ato rrezikojnë të dëmtojnë seriozisht autonominë universitare, cilësinë e arsimit të lartë dhe të ardhmen e universiteteve publike në vend. Gazeta Flaka

The post Elezi dhe Stafaj: Ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë cenojnë rëndë autonominë universitare appeared first on Flaka, në çdo lajm... .