Emilija Rexhepi: E mbështes Kurtin për qeveri të re – nuk e di pse deputetët dolën kundër njëri-tjetrit

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë Kurti 2, Emilija Rexhepi, ka thënë se do ta votojë një qeveri të re të udhëhequr po nga kreu i LVV-së, Albin Kurti. Në një prononcim për Klankosova.tv, deputetja nga komuniteti boshnjak ka thënë se sërish ka marrë ofertë për post ministror, por shtoi se nuk do ta pranojë një të tillë

Prill 16, 2025 - 19:00
 0  8
Emilija Rexhepi: E mbështes Kurtin për qeveri të re – nuk e di pse deputetët dolën kundër njëri-tjetrit
emilija-rexhepi:-e-mbeshtes-kurtin-per-qeveri-te-re-–-nuk-e-di-pse-deputetet-dolen-kunder-njeri-tjetrit

emilija-rexhepi:-e-mbeshtes-kurtin-per-qeveri-te-re-–-nuk-e-di-pse-deputetet-dolen-kunder-njeri-tjetrit

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë Kurti 2, Emilija Rexhepi, ka thënë se do ta votojë një qeveri të re të udhëhequr po nga kreu i LVV-së, Albin Kurti.

Në një prononcim për Klankosova.tv, deputetja nga komuniteti boshnjak ka thënë se sërish ka marrë ofertë për post ministror, por shtoi se nuk do ta pranojë një të tillë dhe do të mbetet deputete.

“Dëshiroj të falënderoj kryeministrin Albin Kurti për punën tonë të përbashkët ekipore dhe besimin që kam pasur personalisht. Unë kam qenë ministre e Vetëqeverisjes Lokale dhe më pas zëvendëskryeministre, që ishte një privilegj i madh për boshnjakët e Kosovës. Dëshiroj ta falënderoj edhe për ofertën e pozitës ministrore në qeverinë e re, por vendimi im është që të kthehem në parlament dhe njerëzit rreth meje që sollën fitoren e NDS-së në këto zgjedhje, të marrin pozita të mira brenda institucioneve qeveritare dhe të ndihmojnë qytetarët në kërkesat e tyre, që kanë të bëjnë me përmirësimin e kësaj jete dhe afirmimin më të fuqishëm të boshnjakëve në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës”.

“Unë i jap mbështetjen time absolute kryeministrit Kurti, si përmes parlamentit ashtu edhe në formimin e qeverisë së re”, është shprehur deputetja e zgjedhur, Emilija Rexhepi.

Ndër të tjera, ajo ka folur edhe për mos votimin e raportit për verifikim të mandateve nga ana e deputetëve të partive që ishin në opozitë mandatin e kaluar.

Sipas saj, “deputetët e opozitës votuan kundër vetes dhe mandatit të tyre, as unë nuk e kuptoj pse”.

“Seanca e djeshme ishte një formalitet që nga këndvështrimi legjislativ duhet të jetë i tillë, me dhënien e një betimi individual nga çdo deputet që mori besimin e popullit në zgjedhje dhe që u certifikua nga KQZ. Nuk e kuptoj pse ata ishin kundër njëri-tjetrit, ne duhet të krijojmë një parlament dhe të votojmë një qeveri të re sa më shpejt të jetë e mundur, kemi një milion çështje të tjera më të rëndësishme kombëtare me të cilat duhet të merremi dhe qytetarët tanë e presin këtë nga ne”, deklaroi Rexhepi.

Ajo u shpreh e bindur se i kanë votat. “Sigurisht që kemi vota”, potencoi deputetja e zgjedhur, Emilija Rexhepi.