Është aktivizuar mekanizmi për mbrojtje civile i BE-së, Mucunski: Pritet të arrijë një ekip mjekësor i specializuar nga Izraeli dhe Belgjika

Bashkimi Evropian filloi evakuimin e pacientëve me djegie të rënda pas zjarrit shkatërrues në Koçan të Maqedonisë, ku 59 persona humbën jetën dhe mbi 155 u lënduan, njoftoi sot Drejtoria për Mbrojtje Civile dhe Ndihmë Humanitare e Komisionit Evropian (ECHO), transmeton Portalb.mk. “Në orët e para pas aksidentit, Qendra Koordinuese për Reagim Emergjent të BE-së […]

Mars 17, 2025 - 18:00
 0  4
Është aktivizuar mekanizmi për mbrojtje civile i BE-së, Mucunski: Pritet të arrijë një ekip mjekësor i specializuar nga Izraeli dhe Belgjika
Qytetarë të mbledhur para Spitalit në Koçan pas tragjedisë së zjarrit në diskotekë. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Bashkimi Evropian filloi evakuimin e pacientëve me djegie të rënda pas zjarrit shkatërrues në Koçan të Maqedonisë, ku 59 persona humbën jetën dhe mbi 155 u lënduan, njoftoi sot Drejtoria për Mbrojtje Civile dhe Ndihmë Humanitare e Komisionit Evropian (ECHO), transmeton Portalb.mk.

“Në orët e para pas aksidentit, Qendra Koordinuese për Reagim Emergjent të BE-së kontaktoi autoritetet e mbrojtjes civile në Maqedoni, duke shprehur solidaritet dhe mbështetje”, thuhet në deklaratë.

Maqedonia ka aktivizuar zyrtarisht Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, duke kërkuar evakuimin e menjëhershëm të 15 pacientëve me djegie të rënda. Në përgjigje, nëntë vende evropiane – Kroacia, Greqia, Rumania, Sllovenia, Suedia, Lituania, Hungaria, Luksemburgu dhe Norvegjia – ofruan menjëherë ndihmë përmes këtij mekanizmi.

Disa të lënduar tashmë janë transportuar në Hungari me mbështetjen e Luksemburgut, ndërsa Rumania po transporton pacientë në Lituani. Bashkimi Evropian vazhdon të koordinojë transportin e pjesës tjetër të pacientëve në vendet që ofruan trajtim mjekësor.

Komisionerja Evropiane për Gatishmëri, Menaxhimin e Krizave dhe Barazi, Hadja Lahbib, shprehu ngushëllimet e saj dhe theksoi solidaritetin evropian:

“Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit. BE-ja qëndron krah për krah me popullin e Maqedonisë në këto momente të vështira. Falënderoj vendet evropiane që ofruan menjëherë trajtim dhe mbështetje përmes Mekanizmit tonë të Mbrojtjes Civile”, tha komisioneri Lahbib.

BE-ja mbetet në kontakt të ngushtë me autoritetet në Maqedoni dhe është e gatshme të mobilizojë ndihmë shtesë nëse është e nevojshme, thuhet në deklaratën e ECHO.

Ministria e Punëve të Jashtme përmes shtabit të krizës ka koordinuar procesin e dërgimit të shtetasve të lënduar nga zjarri në Koçan, njoftoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, i cili në një konferencë për media tha se ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me ministrat e Punëve të Jashtme të Greqisë, Bullgarisë, Serbisë, Turqisë, Kroacisë, Malit të Zi, Holandës, Kosovës, Maltës, Izraelit, Hungarisë, Shqipërisë, Sllovenisë, Sllovenisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe me Richard Grenell në emër të administratës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

“Në të gjitha ato biseda është shprehur ngushëllim nga miqtë tanë dhe është ofruar ndihma në formë të mjeteve materiale dhe teknike, kapaciteteve njerëzore, kujdesit mjekësor, për pacientët për të cilët ekspertët mjekësorë përcaktojnë nëse dhe për të cilët është i nevojshëm vazhdimi i trajtimit jashtë vendit. Deri në këtë moment janë dërguar për trajtim gjithsej 51 qytetarë”, tha Mucunski.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nëntë pacientë janë dërguar për trajtim në Turqi, 14 në Bullgari, 4 në Greqi, 17 në Serbi, 4 në Lituani me avion nga Rumania dhe dy në Hungari. Gjatë ditës pritet të nisen edhe 6 pacientë për në Austri, 4 për në Slloveni, 4 për në Kroaci dhe 4 për Norvegji dhe Hungari.

“Për të ofruar ndihmë mjekësore për pacientët e lënduar në vend, mbrëmë ka mbërritur një ekip mjekësor nga Çekia, ndërsa pritet të arrijë një ekip mjekësor i specializuar nga Izraeli dhe Belgjika. Në çdo vend ku pacientët dërgohen për trajtim, Ministria e Punëve të Jashtme ka një person kontaktues të caktuar i cili është në dispozicion 24 orë në ditë për prindërit dhe familjet e pacientëve për çdo ndihmë dhe mbështetje”, tha Mucunski.

Mucunski bëri të ditur se në një seancë të qeverisë do të propozojë përmes ShPPQ-së që për familjarët e pacientëve që trajtohen jashtë vendit të mbulohen shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit jashtë vendit. Ai po ashtu thekson se është aktivizuar mekanizmi për mbrojtje civile të BE-së, i cili është një sistem i koordinimit të ndihmës ndërmjet të gjitha shteteve anëtare të Unionit dhe vendeve të tjera anëtare, prej nga pritet ndihma shtesë në ditët në vijim.

Vendimi nëse individët do të transportohen, kur dhe ku do të transportohen merret nga profesionistët mjekësorë në vend dhe ka mundësi që oferta suedeze e ndihmës të përdoret deri në mbrëmje. Thirrjet e para që ai ka marrë nuk kanë qenë në kuadër të mekanizmit të BE-së, ofertat e ndihmës kanë qenë në baza dypalëshe.

“Ka dy aspekte të këtij mekanizmi. Njëra është marrja e pacientëve dhe transportimi i tyre në shtete të tjera. Dhe aspekti i dytë është ekipet mjekësore që vijnë këtu nga Republika Çeke, Izraeli dhe Belgjika për të ndihmuar mjekët tanë këtu. Nëpërmjet mekanizmit të BE-së është shumë më e lehtë të përdoret kjo ndihmë, por procesi përfshin njëfarë burokracie dhe në këtë kuptim dua të falënderoj të gjitha kombet që na kontaktuan, na pritën dhe menjëherë në më pak se 12 orë i transferuam pacientët jashtë vendit. Këta janë pacientët që kanë shkuar në Selanik të Greqisë”, shtoi Mucunski.

Më 16 mars, zjarri në diskotekën e Koçanit mori jetën e 59 të rinjve ndërsa la të plagosur mbi 150 të tjerë.

Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan ka rënë në orët e para të mëngjesit të 16 marsit. 

Arsyet e zjarrit janë përdorimi i mjeteve piroteknike të cilat u përdorën gjatë koncertit të grupit “DNK”, ku më pas ata kapluan tavanin dhe u shpërndanë në mënyrë të pakontrolluar. 

Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj nga mosha 16-24 vjeç, i vdekur mbeti edhe një polic, një futbollist i klubit të futbollit Shkupi, anëtarët e grupit “DNK” dhe të tjerë. 

Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e rrëmujës (stampedos) së krijuar nga paniku pas shpërthimit të zjarrit në diskotekë. 

Të rinjtë që shpëtuan të cilët kanë lëndime më të rënda dhe që në numër janë rreth 140 po trajtohen nëpër institucionet shëndetësore në vend, kurse pacientët në gjendje më kritike po trajtohen në vende të rajonit dhe Evropës.