Mijëra studentë u mblodhën në UKM për të nderuar viktimat e Koçanit, kërkuan anulimin e orëve, fjalimi i ministres u fishkëllua
Reshjet e shiut në Shkup nuk i penguan mijëra studentë të mblidhen në kampusin social të UKM-së për të nderuar viktimat e tragjedisë në Koçan, ku humbën jetën 59 kryesisht të rinj, ndërsa 150 të tjerë u lënduan, 45 prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. Në pllajën e fakultetit, përveç studentëve, ishin edhe […]


Reshjet e shiut në Shkup nuk i penguan mijëra studentë të mblidhen në kampusin social të UKM-së për të nderuar viktimat e tragjedisë në Koçan, ku humbën jetën 59 kryesisht të rinj, ndërsa 150 të tjerë u lënduan, 45 prej të cilëve në gjendje kritike për jetën. Në pllajën e fakultetit, përveç studentëve, ishin edhe rektorja e UKM-së, Biljana Angelova, anëtarët e Administratës së Rektorit dhe Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, transmeton Portalb.mk.
Fjalimi i rektores Biljana Angelova u ndërpre në momentin kur studentët e mbledhur filluan të thërrisnin “Ndihmë!”, pasi një vajzë u sëmur. Të pranishmit kërkuan që t’i çohej Coca-Cola, ndërsa vendi ku ndodhej vajza ishte mbuluar me çadra nga të gjitha anët.
Pas një pauze prej disa minutash, rektorja e përfundoi fjalën e saj, pas së cilës foli ministrja Vesna Janevska. Gjatë fjalës së saj u dëgjuan edhe thirrje për ndihmë, por ministrja e vazhdoi shkurt fjalën e saj, pas çka ndaj saj nisën pakënaqësitë me zë të lartë dhe fishkëllima.
Menjëherë pas kësaj, kryetari i Kuvendit Studentor Universitar të UKM-së, Aleksandar Nikollovski, u tha studentëve se tubimi ishte për respekt ndaj viktimave e jo për protestë dhe kërkoi që të heshtnin.
“KS UKM do të vazhdojë të organizojë këto tubime gjatë gjithë javës. Do t’ju kërkoj të vini në tubime dhe nëse duhet të ndihmojmë të gjithë të ndihmojmë dhe të organizohemi”, tha Nikollovski.
Vlerësohet se kishte rreth 3,000 deri në 5,000 studentë në kampus. Libër ngushëllimi ishte vendosur para Fakultetit të Drejtësisë, ku studentët dërgojnë mesazhe dhembshurie. Brenda fakultetit kishte edhe qindra studentë.
Organizatat studentore mbrëmë u kanë bërë thirrje të gjithë studentëve që pikërisht në mesditë të mbajnë një orë të përbashkët në pllajën e UKM. Ata njoftuan se çdo ditë nga sot e deri të premten, më 21.03 do të organizojnë tubime të tilla në lokacione të ndryshme.
Studentët kërkojnë anulimin e ligjëratave gjatë ditëve të zisë
Organizatat studentore nga disa universitete shtetërore dhe private në vend kanë bërë të ditur se kanë dorëzuar kërkesa për ndërprerjen e mësimit dhe organizimin e tubimeve përderisa vazhdojnë ditët e zisë me rastin e tragjedisë në Koçan.
Kuvendi studentor universitar në universitetin më të madh në vend, UKM, ka bërë të ditur se mbrëmë kanë mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme pas së cilës kanë dorëzuar kërkesë në Rektorat për pezullimin e mësimit dhe organizimin e mësimit të përbashkët në formë tubimesh nga data 17 deri më 21.03.2025.
Më 16 mars, zjarri në diskotekën e Koçanit mori jetën e 59 të rinjve ndërsa la të plagosur mbi 150 të tjerë.
Zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan ka rënë në orët e para të mëngjesit të 16 marsit.
Arsyet e zjarrit janë përdorimi i mjeteve piroteknike të cilat u përdorën gjatë koncertit të grupit “DNK”, ku më pas ata kapluan tavanin dhe u shpërndanë në mënyrë të pakontrolluar.
Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj nga mosha 16-24 vjeç, i vdekur mbeti edhe një polic, një futbollist i klubit të futbollit Shkupi, anëtarët e grupit “DNK” dhe të tjerë.
Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e rrëmujës (stampedos) së krijuar nga paniku pas shpërthimit të zjarrit në diskotekë.
Të rinjtë që shpëtuan të cilët kanë lëndime më të rënda dhe që në numër janë rreth 140 po trajtohen nëpër institucionet shëndetësore në vend, kurse pacientët në gjendje më kritike po trajtohen në vende të rajonit dhe Evropës.