Ish ministri Bekteshi është ende në stacion policor për rastin tragjik në Koçan

Ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është ende në stacionin policor pasi është ftuar dje në bisedë informative lidhur me zjarrin në lokalin e natës “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe mbetën të plagosur 150 tjerë. Informacionin e konfirmoi sot vet ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në konferencë për media, […]

Mars 17, 2025 - 18:00
 0  5
Ish ministri Bekteshi është ende në stacion policor për rastin tragjik në Koçan
Kreshnik Bekteshi, foto: Ministria e Ekonomisë

Ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është ende në stacionin policor pasi është ftuar dje në bisedë informative lidhur me zjarrin në lokalin e natës “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 59 persona dhe mbetën të plagosur 150 tjerë. Informacionin e konfirmoi sot vet ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në konferencë për media, raporton Portalb.mk. 

Deri në këto momente janë arrestuar 11 persona, mbi 20 persona janë të dyshuar, informoi ministri.   

“Janë arrestuar pronari i diskotekës, biletashitësi, dy roje sigurie, tre inspektorë tregu, një i inspektimit të punës, si dhe një polic. 14 persona janë urdhëruar të ndalohen për 48 orë”, tha Toshkovski. 

Kujtojmë se, ministria e Ekonomisë është kompetente për lëshimin e licencës së punës së lokalit ku ndodhi ngjarja tragjike në Koçan. 

Nga ana tjetër, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, tha se ministria e Ekonomisë gjatë vitit 2024 nuk ka lëshuar licencë, për shkak se nuk ishin plotësuar kushtet dhe se diskoteka nuk ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

“Pretendimet se dikush ka lëshuar një licencë të rreme janë një sajesë e plotë. Nëse dikush konkretisht sekretari do të merrte para korrupsion për ta lëshuar licencës, do të ishte lëshuar dhe regjistruar në ministri, por edhe në regjistrin e licencave i cili përditësohet vazhdimisht çdo muaj me të dhënat e fundit”, tha Arbër Ademi nga BDI.

Ai shtoi se nëse dikush ka falsifikuar një dokument jashtë institucionit përgjegjësia është e individit apo e grupit që ka bërë të njëjtën gjë dhe duhet të ketë përgjegjësi.

Çfarë dihet deri më tani?

Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj nga mosha 16-24 vjeç, i vdekur mbeti edhe një polic, një futbollist i klubit të futbollit Shkupi, anëtarët e grupit “DNK” dhe të tjerë. 

Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e rrëmujës (stampedos) së krijuar nga paniku pas shpërthimit të zjarrit në diskotekë. 

Të rinjtë që shpëtuan të cilët kanë lëndime më të rënda dhe që në numër janë rreth 140 po trajtohen nëpër institucionet shëndetësore në vend, kurse pacientët në gjendje më kritike po trajtohen në vende të rajonit dhe Evropës. 

Prokuroria Publike ka formuar ekip të prokurorëve të cilët po kryejnë hetime për rastin. Prokuroria ka dorëzuar propozim për paraburgim të shkurtër tashmë për 8 persona, ndërsa 3 të tjerët ende janë të shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në pyetje është marrë edhe ish ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Kryeprokurori Lupço Kocevski ka bërë të ditur se objekti ka pasur lëshime të mëdha dhe se “bëhet fjalë për rrëzim të sistemit”, duke shtuar se objekti nuk kishte asgjë që parashikonte ligji – nuk kishte hidrantë, nuk kishte derë rezervë për evakuim (d.m.th., ishte i mbyllur me dry dhe pa dorezë në brendësi), në mënyrë të paligjshme janë lëshuar mjete piroteknike – dhe shumë krime të tjera. 

Diskoteka, siç ka bërë të ditur Toshkovski ka punuar pa licencë legale. Ai tha se dyshohen edhe zyrtarë shtetërorë nga institucione të ndryshme si: një ish-sekretar shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë, një ish-udhëheqës i një sektori brenda Ministrisë së Ekonomisë, një ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe tre të tjerë brenda drejtorisë.

Për këtë tragjedi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie në të gjithë vendin. 

Qeveria gjithashtu ka sjellë vendim që Inspektorati Shtetëror i Tregut në tre ditët e ardhshme të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike. 

Në ndihmë të fatkeqësisë dhe familjeve kanë dalë ekipet e Kryqit të Kuq, institucionet të ndryshme, vendet fqinje, BE-ja si dhe bamirës të ndryshëm. 

Për të gjithë ata që duan të ndihmojnë, Kryqi i Kuq ka publikuar llogaritë për donacione për të dëmtuarit nga zjarri 

Ndonëse rast i ndjeshëm, edhe në këtë rast pati akuza politike midis partive të opozitës dhe pushtetit. 

Më poshtë mund të lexoni të gjithë përmbledhjen e detajuar me ngjarjet e ditës së djeshme.