EVN: Vjedhje e energjisë elektrike me vlerë mbi 22,000 euro u zbulua në Kodrën e Diellit
EVN-Maqedoni ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Tetovës dhe ekipet e tyre në Qendrën e Energjisë së Konsumatorëve në Tetovë zbuluan përdorim të paautorizuar të energjisë elektrike në një kompleks biznesi në Kodrën e Diellit, shkruan Portalb.mk. Sipas tyre, gjatë inspektimit është zbuluar përdorim i paligjshëm i energjisë elektrike përmes një kutie […]
EVN-Maqedoni ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Tetovës dhe ekipet e tyre në Qendrën e Energjisë së Konsumatorëve në Tetovë zbuluan përdorim të paautorizuar të energjisë elektrike në një kompleks biznesi në Kodrën e Diellit, shkruan Portalb.mk.
Sipas tyre, gjatë inspektimit është zbuluar përdorim i paligjshëm i energjisë elektrike përmes një kutie lidhëse të kabllove, lidhje e drejtpërdrejt e paautorizuar me një kabllo me tension të ulët (4x16mm2).
“U përpilua një procesverbal për përdorim të paautorizuar. U parashtrua një ankesë për përdorim të paautorizuar të energjisë elektrike në Ministrinë e Brendshme sipas nenit 235-a të Kodit Penal. U përgatit një faturë për kompensim dëmi në shumën prej 1,361,599.00 denarësh apo rreth 22.000 euro”, thonë nga atje.
Gjithashtu edhe nga MPB për Portalb.mk e kanë konfirmuar aksionin policor në Kodrën e Diellit. Nga atje thonë se bashkë me punonjësit e EVN-Maqedoni kanë kryer inspektime mbi dyshimet për vjedhje të energjisë elektrike.
“Më datë 28.03.2026, në periudhën nga ora 15:00-18:00, është kryer kontroll në dy lokacione në Kodrën e Diellit, përkatësisht në një hotel në pronësi të L.Sh.(42) nga fshati Pirok dhe në një market në pronësi të B.M.(31) nga Tetova. Aksioni është realizuar në bashkëpunim me punonjësit e EVN-Maqedoni, të cilët kanë denoncuar veprën penale ‘vjedhje e energjisë elektrike’. Pas inspektimit, punonjësit e EVN-së kanë konstatuar se lokalet nuk posedonin njehsor elektrik, ndërkohë që në ato momente ishin të furnizuara me energji elektrike”, thonë nga MPB.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj pronarëve të objekteve do të dorëzohen parashtresat përkatëse ligjore.