Fabrika kryesore ruse e dronëve dhe raketave shpall falimentimin
Kompania ruse “Monocrystal”, e cila ishte një nga prodhuesit kryesorë në botë të safirëve sintetikë që përdoren, ndër të tjera, në prodhimin e raketave dhe dronëve, ka shpallur falimentimin. Prodhuesi, i cili është pjesë e koncernit “Energo...
Kompania ruse “Monocrystal”, e cila ishte një nga prodhuesit kryesorë në botë të safirëve sintetikë që përdoren, ndër të tjera, në prodhimin e raketave dhe dronëve, ka shpallur falimentimin.
Prodhuesi, i cili është pjesë e koncernit “Energomera”, ka njoftuar kreditorët për qëllimin e tij për të dorëzuar kërkesë për falimentim në Gjykatën e Arbitrazhit të rajonit rus të Stavropolit.
Së fundmi në vitin 2022, “Monocrystal” mbante një të tretën e tregut global të safirëve sintetikë, të cilët përdoren jo vetëm në industrinë e mbrojtjes, por edhe në prodhimin e xhamave mbrojtës për celularët inteligjentë (smartphones) dhe orët inteligjente. Kompania tani i referohet paaftësisë së saj paguese dhe mungesës së mjeteve financiare.
Në fund të vitit 2025, detyrimet afatshkurtra të “Monocrystal” tejkaluan mjetet e saj rrjedhëse me 50,6 milionë dollarë amerikanë, ndërsa vetë mjetet u zvogëluan gjatë vitit nga 215,5 milionë dollarë në 182,5 milionë dollarë amerikanë. Vëllimi i mjeteve të huazuara afatshkurtra u rrit në 70,7 milionë dollarë, detyrimet për pagesa llogariteshin në 8,77 milionë dollarë, ndërsa detyrimet afatgjata kaluan vlerën prej 129 milionë dollarësh.
Gjatë tre viteve, kompania gjithashtu ka larguar nga puna rreth gjysmën e fuqisë së saj punëtore – numri i punonjësve u zvogëlua nga 1,087 në vitin 2022, në 524 në vitin 2025.
Falimentimi ndërlidhet me dëmtimin e kapaciteteve prodhuese në rajonin rus të Belgorodit si pasojë e sulmeve ukrainase, ndërprerjet në furnizimin me lëndë të parë, humbjen e tregut evropian dhe rënien e kërkesës për elektronikën ruse në Azi.
Skenari më i mundshëm është një ristrukturim i thellë i “Monocrystal”, ndryshim i pronësisë ose shitje e sektorit të safirëve tek një investitor i ri. Sipas ekspertëve rusë, ekziston një shans për shpëtimin e kompanisë falë unikalitetit të produkteve të saj. Në të kundërt, tregu rus rrezikon të humbasë një nga prodhuesit e paktë të teknologjisë së lartë të nivelit botëror.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.