Fatmir Sabriu: Ndërmarrjet sociale, “fole shprese” për qytetarët më të cenueshëm

Shkup, 5 shkurt – Sekretari shtetëror në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Sabriu, mori sot pjesë në eventin “Përforcimi i ndërmarrjeve sociale – event donatorësh”, të organizuar…

shkurt 5, 2026 - 22:00
 0
Fatmir Sabriu: Ndërmarrjet sociale, “fole shprese” për qytetarët më të cenueshëm

Shkup, 5 shkurt – Sekretari shtetëror në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Sabriu, mori sot pjesë në eventin “Përforcimi i ndërmarrjeve sociale – event donatorësh”, të organizuar nga Agjencia “INOVA” në bashkëpunim me Unionin e Odave Ekonomike.

Në fjalën e tij, Sabriu theksoi se ndërmarrjet sociale janë shumë më tepër sesa subjekte juridike, duke i cilësuar si ura që lidhin margjinat me qendrën e shoqërisë. Sipas tij, ato u japin zë personave me aftësi ndryshe, të rinjve, prindërve vetëushqyes dhe të gjithë atyre që kërkojnë një shans të dytë për një jetë dinjitoze.

Ai nënvizoi se mbështetja e sipërmarrjes sociale mbetet prioritet strategjik i Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, ndërsa bëri të ditur se Propozim-ligji për Ndërmarrjet Sociale ndodhet tashmë në procedurë qeveritare dhe pritet të miratohet në Kuvend gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, duke krijuar një kornizë të qartë ligjore dhe financiare për këtë sektor.

Në kuadër të eventit, Sabriu përmendi edhe mbështetjen e projektit human për mbrojtjen e lejlekëve në “The Countryside”, duke e cilësuar atë si simbolikë shprese. “Ashtu si foletë e lejlekëve që simbolizojnë jetën, edhe ndërmarrjet sociale janë ‘fole shprese’ për qytetarët tanë më të cenueshëm”, u shpreh ai.

Në fund, Sabriu theksoi se ekonomia duhet të jetë një urë ndërlidhëse mes rritjes dhe njerëzimit, duke nënvizuar angazhimin institucional që askush të mos mbetet pas.