Figura që mund të pajtojë partitë për President konsensual të Kosovës?
Ndërkohë që afatet kushtetuese po ngushtohen dhe skena politike në Kosovë ndodhet para sfidës për të gjetur një pasardhës të denjë në krye të shtetit, emri i intelektualit dhe publicistit të njohur, Blerim Shala është një prej figurave më serioze kontributdhënëse për të marrë rolin e presidentit konsensual të Kosovës, mëson INA. Blerim Shala nuk […]
Ndërkohë që afatet kushtetuese po ngushtohen dhe skena politike në Kosovë ndodhet para sfidës për të gjetur një pasardhës të denjë në krye të shtetit, emri i intelektualit dhe publicistit të njohur, Blerim Shala është një prej figurave më serioze kontributdhënëse për të marrë rolin e presidentit konsensual të Kosovës, mëson INA.
Blerim Shala nuk është një emër i panjohur për proceset shtetndërtuese; përkundrazi, ai përfaqëson një nga shtyllat e mendimit politik dhe angazhimit diplomatik të Kosovës në tri dekadat e fundit.
Kontributi i tij daton që nga vitet e vështira të okupimit, kur përmes gazetarisë guximtare në revistën “Zëri”, ai u shndërrua në një zë kritik dhe udhërrëfyes për lëvizjen demokratike.
Ky rrugëtim intelektual do të shërbehej si bazë për angazhimin e tij direkt në tavolinat më të rëndësishme të vendimmarrjes botërore, duke qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Rambouillet në vitin 1999, ku u hodhën themelet e lirisë së vendit.
Përvoja e tij u çimentua më tej gjatë procesit të Vjenës (2005-2007), ku në cilësinë e zëvendëskryenegociatorit, Shala luajti një rol kyç në hartimin e Pakos së Ahtisaarit, dokumenti mbi të cilin u shpall pavarësia e Kosovës. Njohësit e rrethanave politike vlerësojnë se aftësia e tij për të analizuar situatat komplekse gjeopolitike dhe për të ndërtuar konsensus mes palëve të ndryshme, e bën atë një kandidat ideal për postin e Presidentit, i cili sipas Kushtetutës duhet të jetë simbol i unitetit.
Përtej angazhimit si deputet dhe këshilltar politik në nivelet më të larta të presidencës, Shala ka mbetur një autor i palodhur dhe një mendimtar që ka dokumentuar rrugëtimin e shtetit të Kosovës përmes botimeve të shumta. Në rrethanat aktuale, kur Kuvendi kërkon një shumicë prej 80 votash, figura e tij shihet si një mundësi reale për të bashkuar spektrin politik rreth një personaliteti që gëzon integritet moral dhe profesional. Propozimi i tij si President konsensual nuk shihet thjesht si një zgjidhje teknike, por si një vlerësim për një kontribues të madh që i ka qëndruar besnik interesave shtetërore në çdo etapë historike të Kosovës.(INA)