FNA: Janevska e gënjeu opinionin kurse bashkë me autorët sekretë bënë çfarë deshën, deputetët t’i thonë jo ligjit

Vesna Janevska për përpilimin e Ligjit për Arsim të Lartë udhëtoi nga qyteti në qytet, organizoi takime, dëgjoi studentët e profesorët dhe harxhoi paratë e qytetarëve. Krejt kjo, që në fund, bashkë me përpiluesit top sekret të ligjit, të bënte saktësisht çfarë ka dashur dhe kishte planifikuar nga fillimi. Kështu ka reaguar Forumi për Ndryshime […]

Prill 9, 2026 - 16:00
FNA: Janevska e gënjeu opinionin kurse bashkë me autorët sekretë bënë çfarë deshën, deputetët t’i thonë jo ligjit

Vesna Janevska për përpilimin e Ligjit për Arsim të Lartë udhëtoi nga qyteti në qytet, organizoi takime, dëgjoi studentët e profesorët dhe harxhoi paratë e qytetarëve. Krejt kjo, që në fund, bashkë me përpiluesit top sekret të ligjit, të bënte saktësisht çfarë ka dashur dhe kishte planifikuar nga fillimi. Kështu ka reaguar Forumi për Ndryshime në Arsim lidhur me Propozim-ligjin për arsimin e lartë, raporton Portalb.mk.

Nga FNA thonë se versioni final i ligjit dëshmon se konsultimet publike ishin thjesht një fasadë demokratike, një teatër ku studentët dhe profesorët ishin statisti.

“Trupa Nacionale Studentore nuk do të njihet ligjërisht. Këshilli i Etikës nuk do të krijohet. Familjarizimi i fakulteteve dhe nepotizmi tashmë do të jenë legal. H-indeksi mbetet, por tani si kriter fakultativ. Çdo universitet zgjedh vetë nga cila platformë e mat, gjë që në praktikë do të thotë se do të zgjedhin platformat më të lehta për t’u manipuluar. Mbledhjet e Senatit do të mbeten të mbyllura”, thonë nga FNA.

Ata ftojnë deputetët të mos votojnë këtë ligj, i cili sipas FNA-së është i përpiluar sipas interesave dhe tekave personale të një grusht njerëzish të ende panjohur për opinionin.

“Kërkesat e FNA-së burojnë nga konsultimet e përditshme me studentë dhe zëri ynë s’guxon të ngelet i padëgjuar. Të shqyrtohen edhe njëherë kërkesat e profesorëve dhe Sindikatës së Pavarur Akademike”, thonë nga FNA.

Pas ripublikimit të Propozim-ligjit për arsimin e lartë në sistemin ENER, kanë arritur sugjerime shtesë nga akterë të sistemit të arsimit të lartë.

“Të njëjtat do të shqyrtohen gjatë javës së ardhshme dhe, natyrisht, gjithçka që është e qëndrueshme do të integrohet në tekst, para se ta miratojë Qeveria dhe ta dërgojë në Kuvend”, thanë nga Ministria e Arsimit për Portalb.

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në krye me Vesna Janevskën vazhdojnë të mos i tregojnë autorët të cilët e hartuan Propozim-ligjin për Arsimin e Lartë i cili u shoqërua me shumë kritika nga akademia dhe sektori civil.