Kuvendi e ka miratuar futjen në rendin e ditës së seancës së sotme Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, sipas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës.

“79 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër, asnjë abstenim. Kalon ky mocion si pika e 11-të e rendit të ditës”, tha kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

PDK propozoi mocion procedural për ndryshimin e rendit të ditës së seancës së sotme parlamentare, duke kërkuar futjen në rend dite të miratimit të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku tha se ka kërkuar që ligji të kthehet sërish në Kuvend sepse i janë dhënë “disa këshilla dhe rekomandime të cilat ne besojmë se ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm, edhe më të qëndrueshëm juridikisht”.

Çitaku tha se ligji duhet të miratohet sot.

“Menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit”, tha ajo.

PDK-ja ka kërkuar që të rrëzohet vetoja e Presidentes Justina Shiroka Pula në mënyrë që ligji të miratohet sot dhe më pas të nisë amendamentimi.

Lëvizja Vetëvendosje e mbështeti futjen e ligjit në rend dite, ndërsa paraprakisht në Komisionin parlamentar për Legjislacion tha se do ta mbështesë rrëzimin e vetos së Presidentes.

Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se kjo parti mban “qëndrimin e njëjtë” për ligjin.

Aleanca e mbështeti propozimin e PDK-së.

Ligji u kthye në Kuvend nga Presidentja Justina Shiroka Pula, me kërkesë të PDK’së, duke shkaktuar një situatë të paqartë se si të veprohet tutje.

Juristët kanë qenë të ndarë se si të vepropet me ligjin – nëse mund të bëhen ndryshimet në Komision për Legjislacion e pastaj të votohet në seance apo të votohet rrëzimi i vendimit të Presidentes për kthimin e ligjit, e pastaj të vazhdohen procedurat e amandamentimit të tij.

Kuvendi mund ta kalojë në fuqi ligjin në formën ekzistuese, përpara se të nisë procedurën për amendamentimin e tij.

Sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Kështu, Presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj. Nëse Kuvendi e miraton sërish me shumicën e të gjithë deputetëve, vendimi i saj për kthimin e ligjit tejkalohet.

Një ligj hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse me vetë ligjin është përcaktuar ndryshe.

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.