Gjyqi për ish-krerët e UÇK, Rama nga Haga: S’di ç’të them për këtë padrejtësi
Sot kryeministri Edi Rama vizitoi në Hagë Hashim Thaçin. Pas takimit kreu i qeverisë ka bërë një tjetër reagim për gjyqin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim prej 5 vitesh nën akuzën e krimeve të luftës. Kryeministri, në një postim në rrjete sociale, e cilësoi godinën ku ndodhet […]
Sot kryeministri Edi Rama vizitoi në Hagë Hashim Thaçin. Pas takimit kreu i qeverisë ka bërë një tjetër reagim për gjyqin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim prej 5 vitesh nën akuzën e krimeve të luftës.
Kryeministri, në një postim në rrjete sociale, e cilësoi godinën ku ndodhet Thaçi si një vend ku luhet “teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare për ish presidentin e Kosovës, për të cilin thotë se u rrëmbye pa gjyq e akuzë nga zyra. Rama thotë se luftën e çlirimtarëve s’e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga “kukullat e Dumës së Putinit në Strasburg”.
“Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë.”, shkruan Rama. Më tej, ai thekson se Thaçi ishte në formë dhe i buzëqeshur, duke treguar edhe bisedën që zhvilloi me të.
“E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”, shton ai.
Në fund, Rama shprehet se nuk di se çfarë të thotë më për këtë padrejtësi ulëritëse që po ndodh në zemër të Evropës. Populli i Kosovës, thotë ai, e çliroi veten nga serbët, por gjithashtu shpëtoi edhe kontinentin nga një njollë e zezë që ishte “mu në kërthizë të saj për dekada me radhë”.
“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë. Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor.”, përfundon Rama.