GLPS: Shkarkimi i u.d kryeprokurorit te shtetit përbën shkelje ligjore
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim mbi zhvillimet në takimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) lidhur me shkarkimin e U.D Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. GLPS konsideron se vendimet për shkarkimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe caktimi në këtë pozitë i prokurorit Agron Qalaj


Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim mbi zhvillimet në takimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) lidhur me shkarkimin e U.D Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
GLPS konsideron se vendimet për shkarkimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe caktimi në këtë pozitë i prokurorit Agron Qalaj, janë në kundërshtim të plotë me Ligjin për KPK-në dhe Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e KPK-së.
“Konkretisht, dispozitat ligjore përcaktojnë qartë se mbledhjet e KPK-së mund të zhvillohen dhe të marrin vendime vetëm nëse sigurohet kuorumi i nevojshëm, ndërsa se rendi i ditës dhe vendimet duhet të merren me shumicë votash. Mosrespektimi i këtyre dispozitave e bën të pavlefshëm çdo vendim të marrë në kundërshtim me procedurat e detyrueshme ligjore.
Në rastin konkret, vendimet janë miratuar pa procedurën formale të votimit të rendit të ditës, pa u siguruar kuorumi i kërkuar nga ligji dhe pa numër të nevojshëm të votave për vendimmarrje, duke cenuar kështu parimin e ligjshmërisë dhe transparencës së punës së KPK-së. Për pasojë, këto vendime nuk prodhojnë asnjë efekt juridik dhe nuk mund të konsiderohen të vlefshme apo të zbatueshme në asnjë instancë institucionale”, thuhet në reagim.
KPK me dy qëndrime – njëra palë shkarkon Besim Kelmendin, tjetra thotë se ai mbetet në detyrë
Përtej aspektit juridik, GLPS thekson se ky rast nxjerr në pah edhe njëherë gjendjen e brishtë të qeverisjes së brendshme të KPK-së, si dhe nevojën urgjente për reforma thelbësore në funksionimin e sistemit prokurorial në Kosovë.
“Praktika të tilla jo vetëm minojnë integritetin institucional, por rrezikojnë edhe besimin publik në pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë në tërësi. Kjo situatë dëshmon qartë domosdoshmërine e ndërhyrjeve strukturore për të siguruar një Këshill funksional, të përgjegjshëm dhe të mbështetur në procedura të pakontestueshme ligjore.
Për fund, GLPS në asnjë mënyrë nuk konteston kompetencën e KPK-së për të marrë vendime sa i përket caktimit dhe shkarkimit të UD Kryeprokurorit të Shtetit, por rithekson se kjo vendimmarrje duhet të bëhet konform dispozitave ligjore dhe rregullave mbi kuorumin për mbajtjen e mbledhjeve dhe votimit”, thuhet tutje në reagim.
