Kapja e Maduros nga SHBA, BE: Të respektohet ligji ndërkombëtar

Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe arrestimi i presidentit Nicolas Maduro kanë nxitur reagime të shumta nga Bashkimi Evropian, vende të Amerikës Latine, Rusia, Irani dhe liderë politikë ndërkombëtarë. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se ka zhvilluar bisedime me sekretarin amerikan të Shtetit dhe ambasadorin e BE-së në Karakas, duke theksuar se Bashkimi […]

Jan 3, 2026 - 14:30
 0
Kapja e Maduros nga SHBA, BE: Të respektohet ligji ndërkombëtar

Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe arrestimi i presidentit Nicolas Maduro kanë nxitur reagime të shumta nga Bashkimi Evropian, vende të Amerikës Latine, Rusia, Irani dhe liderë politikë ndërkombëtarë.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se ka zhvilluar bisedime me sekretarin amerikan të Shtetit dhe ambasadorin e BE-së në Karakas, duke theksuar se Bashkimi Evropian po e ndjek nga afër situatën dhe bën thirrje për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.

“BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se Maduros i mungon legjitimiteti dhe blloku e ka mbështetur një tranzicion paqësor. Në çdo rrethanë, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje” tha Kallas.

Ministria e Jashtme e Spanjës bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe zgjidhje paqësore të krizës.

“Spanja bën thirrje për shtensionim dhe qetësim, si dhe që çdo veprim të ndërmerret gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së OKB-së. Në këtë drejtim, Spanja është e gatshme të ofrojë shërbimet e saj të mira për të arritur një zgjidhje paqësore dhe të negociuar të krizës së tanishme”, thuhet në reagimin e Spanjës.

Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, dënoi veprimet ushtarake të SHBA-së dhe riafirmoi angazhimin ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

“Si Qeveri e Kilit, ne shprehim shqetësimin tonë dhe i dënojmë veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe bëjmë thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës së rëndë që po prek vendin. Kili riafirmon angazhimin e tij ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, si ndalimi i përdorimit të forcës, mosndërhyrja, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe integriteti territorial i shteteve”, tha Boric. 

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e tensioneve dhe refuzoi çdo veprim ushtarak të njëanshëm që mund të rrezikojë popullsinë civile.

“Qeveria e Republikës së Kolumbisë i sheh me shqetësim të thellë raportimet për shpërthime dhe aktivitet të pazakonta ajror në orët e fundit në Republikën Bolivariane të Venezuelës, si dhe përshkallëzimin e tensioneve në rajon. Kolumbia riafirmon angazhimin e saj të pakushtëzuar ndaj parimeve të mishëruara në Kartën e OKB-së, në veçanti respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, ndalimin e përdorimit ose kërcënimit me përdorimin e forcës dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Qeveria kolumbiane refuzon çdo veprim ushtarak të njëanshëm që mund ta përkeqësojë situatën ose ta vërë popullsinë civile në rrezik”,  shkroi Petro në X. 

Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ndërhyrjen amerikane si një “agresion të armatosur” dhe bëri thirrje për dialog për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, duke mbështetur thirrjet për një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Pretekstet e përdorura për të justifikuar veprime të tilla janë të pabazuara. Armiqësia ideologjike ka mbizotëruar mbi pragmatizmin e biznesit dhe gatishmërinë për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe parashikueshmëri. Në situatën aktuale, është e rëndësishme, para së gjithash, të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm dhe të përqendrohemi në gjetjen e një rrugëdaljeje nga situata përmes dialogut. Ne mbështesim deklaratën e autoriteteve venezuelase dhe të udhëheqësve të vendeve të Amerikës Latine që bëjnë thirrje për një mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ajo

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, deklaroi se popujt duhet t’i rezistojnë presionit të jashtëm dhe të mos i nënshtrohen.

“Ajo që ka rëndësi është se kur një person e kupton se armiku po përpiqet në mënyrë arrogante të imponojë diçka mbi vendin, mbi zyrtarët, mbi qeverinë dhe mbi kombin, duhet të qëndrojë fort kundër armikut dhe t’i bëjë qëndresë. Ne nuk do t’i dorëzohemi armikut. Duke u mbështetur te Zoti i Plotfuqishëm, duke i besuar Zotit dhe me besim në mbështetjen e popullit, me vullnetin e Zotit dhe me hirin hyjnor, ne do ta gjunjëzojmë armikun” tha Khamenei.

Ndërsa kreu i Reform UK në Britani, Nigel Farage, tha se veprimet amerikane janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por sipas tij mund të kenë pasoja gjeopolitike pozitive.

“Veprimet amerikane në Venezuelë gjatë natës janë jokonvencionale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare – por nëse i bëjnë Kinën dhe Rusinë të mendojnë dy herë, mund të jenë diçka e mirë. Shpresoj që populli venezuelas tani të mund të hapë një faqe të re pa Maduron” ”, tha Farage.

Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, deklaroi se siguria e qytetarëve belgë është prioritet dhe se situata po monitorohet nga afër në koordinim me partnerët evropianë.

“Siguria e qytetarëve tanë është prioriteti kryesor. Ambasada jonë në Bogota, e cila mbulon Venezuelën, dhe shërbimet tona në Bruksel janë plotësisht të angazhuara. Situata po monitorohet nga afër, në koordinim me partnerët tanë evropianë” tha ai. 

Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore në orët e hershme të së shtunës në Venezuelë, duke njoftuar më pas arrestimin e presidentit Nicolás Maduro. Uashingtoni e ka akuzuar Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.