Haradinaj për betejën e Koshares: Lavdia u përket atyre që u vunë në mbrojtje të atdheut
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar betejën e Koshares dhe rënien e dëshmorëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një nga momentet më heroike të luftës për liri. Përmes një postimi, Haradinaj theksoi se në Koshare luftuan së bashku trima nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa vuri në pah rolin e Brigada 138


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar betejën e Koshares dhe rënien e dëshmorëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një nga momentet më heroike të luftës për liri.
Përmes një postimi, Haradinaj theksoi se në Koshare luftuan së bashku trima nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa vuri në pah rolin e Brigada 138 e UÇK-së në këtë betejë historike.
“Në Koshare, luftuan krah për krah trima nga të gjitha trojet shqiptare. Në këtë tokë të lavdisë, trimat e Brigadës 138 të UÇK-së zhvilluan njërën nga betejat më heroike të luftës sonë për liri. Thyerja e kufirit që ndau shqiptarët, ishte ëndërr e shumë brezave”, ka shkruar Haradinaj.
Ai shtoi se sakrifica e luftëtarëve mbetet themel i lirisë së Kosovës dhe kujtesës kolektive të popullit.
“Përulemi me nderim para heronjve të Brigadës 138 të UÇK-së, bijve të kombit që sakrifikuan gjithçka për liri, sepse besonin se atdheu i lirë ishte mbi gjithçka. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës”, thuhet më tej në reagim.
Haradinaj përkujtoi gjithashtu edhe luftëtarët e rënë në beteja të tjera, duke veçuar 28 pjesëtarët e Brigada 162 “Agim Bajrami” nga Kaçaniku, të cilët ranë heroikisht 26 vjet më parë.
Po ashtu, ai nderoi kujtimin e 32 martirëve të vrarë në “Prroi i Rakocit” dhe në “Lagjën e Re”.
“Lavdia u përket të gjithë atyre që u vunë në mbrojtje të Atdheut!”, thotë tutje postimi i Haradinajt.
