Historia heroike se si Kumanova riktheu paralelet e mesme në gjuhën shqipe”

7 DHE 10 TETORI 1991, NJË KAPITULL I VEÇANTË I HISTORISË SË ARSIMIT TË MESËM SHQIP NË KUMANOVË Shkruan: prof.Etem Xheladini Historia e arsimit shqip në Kumanovë është e lidhur ngushtë me përpjekjet e vazhdueshme të qytetarëve, prindërve, nx...

tetor 7, 2026 - 23:30
Historia heroike se si Kumanova riktheu paralelet e mesme në gjuhën shqipe”

7 DHE 10 TETORI 1991, NJË KAPITULL I VEÇANTË I HISTORISË SË ARSIMIT TË MESËM SHQIP NË KUMANOVË

Shkruan: prof.Etem Xheladini

Historia e arsimit shqip në Kumanovë është e lidhur ngushtë me përpjekjet e vazhdueshme të qytetarëve, prindërve, nxënësve, mësuesve, profesorëve dhe intelektualëve shqiptarë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtën për arsimim në gjuhën amtare. Në këtë histori, 7 dhe 10 tetori i vitit 1991 përbëjnë dy data të pandashme dhe me rëndësi të veçantë. Më 7 tetor u morën vendimet dhe u vunë në lëvizje mekanizmat organizativë për rihapjen e tri paraleleve të Gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa më 10 tetor u bë realitet fillimi i mësimit. Këto data nuk ishin rezultat i rastësisë, as i një vendimi të çastit. Ato ishin rezultat i një përgatitjeje të menduar, të analizuar dhe të organizuar.

NJË NISMË E MENDUAR DHE E PLANIFIKUAR

Përpara se të ndërmerrej iniciativa, ishin analizuar me kujdes rrethanat politike dhe shoqërore të kohës, korniza ligjore, baza kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare që garantonin të drejtën për arsimim në gjuhën amtare. Ishte e qartë se rrethanat ishin të vështira dhe se çdo veprim do të mund të përballej me kundërshtime, presione dhe pengesa nga strukturat e pushtetit të atëhershëm. Prandaj, mënyra e veprimit duhej të ishte e menduar deri në detaje. As muaji, as vendi dhe as njerëzit që do ta bartnin iniciativën nuk u zgjodhën rastësisht. Zgjedhja e muajit tetor kishte edhe një dimension politik. Synohej që iniciativa të mos mund të përvetësohej nga politikëbërësit e kohës dhe të mos paraqitej më vonë sikur ishte rezultat i ndonjë vendimi institucional apo politik të marrë më herët. Në vend që të pritej një zgjidhje nga pushteti, u vendos që zgjidhja të fillonte nga vetë qytetarët dhe nga institucionet arsimore shqiptare. Kjo ishte filozofia e re e veprimit: “Marrja e fatit në duart tona, pse SHF “Vëllazërimi”.
Edhe zgjedhja e Shkollës Fillore “Vëllazërimi”, sot “Naim Frashëri”, ishte e menduar. Kolektivi i kësaj shkolle ishte dëshmuar edhe më parë për qëndrimin e tij në mbrojtje të arsimit shqip. Ishte një kolektiv kompakt dhe i organizuar, i cili drejtohej nga një drejtues i zgjedhur nga vetë të punësuarit. Në krye të tij ishte drejtori Etem Xheladini, i cili ishte dëshmuar për qëndrime të palëkundura dhe për mospranimin e urdhrave që cenonin interesat e arsimit shqip. Kjo e bënte shkollën një pikë të përshtatshme për ndërmarrjen e një nisme të tillë. Rëndësi të veçantë kishte edhe fakti se kolektivi i shkollës kishte besim të ndërsjellë dhe aftësi për të vepruar në mënyrë të koordinuar në një situatë të tensionuar.

INICIATIVAT QË PARAPRINË VITIT 1991

Përpjekjet për hapjen e arsimit të mesëm në gjuhën shqipe në Kumanovë nuk filluan në vitin 1991.
Shqiptarët e Kumanovës kishin bërë edhe më herët përpjekje për realizimin e kësaj të drejte. Ndër iniciativat më të rëndësishme ishte ajo e vitit 1989, e ndërmarrë nga Unioni i Studentëve në Prishtinë nga Kumanova. Në këtë përpjekje ishin të angazhuar, ndër të tjerë, Demush Bajrami, Suat Saqipi, Shenasi Xheladini, Ulusi Jashari, Shaban Jashari, Rexhail Xheladini dhe Izair Ajdini. Kërkesat iu ishin drejtuar organeve përkatëse të pushtetit, por nuk kishin sjellë rezultatin e dëshiruar. Kjo përvojë tregoi se një qasje e re ishte e domosdoshme. Iniciativa e vitit 1991 nuk u konceptua thjesht si një kërkesë tjetër drejtuar pushtetit. Ajo synonte krijimin konkret të kushteve për fillimin e mësimit dhe, më pas, përballjen e pushtetit me një realitet tashmë të krijuar.

7 TETORI 1991, DITA E VENDIMIT

Më 7 tetor 1991, në lokalet e SHF “Vëllazërimi”, u zhvillua një proces i gjerë konsultimi dhe organizimi. Në të morën pjesë punonjës të kolektivit të shkollës, prindër, qytetarë, intelektualë dhe përfaqësues të shoqatave jopolitike shqiptare nga Kumanova dhe Likova. Në këtë takim u formua komisioni për mbarëvajtjen e procesit të hapjes së paraleleve të Gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe.

Komisioni përbëhej nga:
Etem Xheladini – drejtor; Vaid Saiti – prind, afarist;
Sabri Hasani – prind; Gani Mustafa – prind;
Feriz Rexhepi – prind; Naim Alimi – prind;
Jetulla Rexhepi – prind; Sadri Asani – prind;
Ismail Xheladini – prind; Adem Bajrami – pedagog;
Demush Bajrami- student; Feriz Dervishi – anëtar;
Arif Sulejmani – anëtar; Ismail Idrizi – anëtar;
Sefedin Bajrami – anëtar Agim Rushiti – anëtar;
Hysen Rrahmani – anëtar.

Pas miratimit të vendimit që mësimi të fillonte më 10 tetor 1991, komisioni u ngarkua me përgatitjen e dokumentacionit, kompletimin e kuadrit mësimor dhe kryerjen e punëve të tjera të nevojshme.
Ky ishte një moment vendimtar, pas pesë vitesh, kur përpjekjet përmes rrugëve institucionale nuk kishin dhënë rezultat, iniciativa po kalonte nga faza e kërkesës në fazën e veprimit konkret.
Mbledhja e 95 punonjësve, në të njëjtën datë, më 7 tetor, në sallën e arsimtarëve të shkollës u zhvillua mbledhja e kolektivit. Në të morën pjesë 95 arsimtarë dhe punonjës të personelit teknik. Drejtori Etem Xheladini i njoftoi të pranishmit për qëllimin e mbledhjes dhe për veprimet që do të ndërmerreshin. U diskutua për mënyrën e organizimit, mbarëvajtjen e procesit dhe nevojën për ruajtjen e gjakftohtësisë në rast të presioneve apo ndërhyrjeve nga organet e pushtetit. Paralajmëroheshin reagime të mundshme nga inspektoratet, organet arsimore, policia dhe strukturat e tjera shtetërore, që ishte një realitet, me që ditën e parë deshtën të pengonin organizimin e fillimit të mësimit. Megjithatë, qëndrimi ishte i qartë: procesi duhej të vazhdonte. Punonjësve iu kërkua të deklaronin me shkrim pajtimin e tyre për fillimin e punës së paraleleve të Gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe. Ky veprim kishte rëndësi të madhe, sepse tregonte se iniciativa nuk ishte e një individi të vetëm, por kishte marrë mbështetjen e një kolektivi të tërë arsimor.

NGA VENDIMI TE REALIZIMI

Në ditët pas 7 tetorit u zhvilluan përgatitjet përfundimtare. U kompletua kuadri mësimor, u përgatitën dokumentet dhe u organizua mënyra e funksionimit të paraleleve. Në bazë të planifikimit të bërë, u caktuan profesorët: Feim Ramadani, Naim Ibrahimi, Hajrulla Kasumi, Avdilmexhid Osmani, Hysen Rrahmani, Agim Rushiti, Zeqirja Dauri, Xhabir Isufi, Tevide Beqiri, Musa Jonuzi, Enver Latifi, Liman Avdiu, Rexhail Iseni dhe Sadulla Jakupi. Për administrimin u angazhua Arif Xheladini, ndërsa si punëtor teknik Sami Beluli. Gjithçka ishte gati për datën e caktuar.

10 TETOR 1991, DITA E REALIZIMIT

Në orën 7:00 të mëngjesit të 10 tetorit 1991, në lokalet e SHF “Vëllazërimi”, sot “Naim Frashëri”, filloi mësimi i paraleleve të Gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe. Ishte një moment i veçantë. Që në orët e hershme të mëngjesit, qytetarë, prindër dhe intelektualë nga Kumanova dhe rrethina filluan të mblidheshin në shkollë. Ata nuk kishin ardhur vetëm për të parë fillimin e një viti shkollor. Kishin ardhur për të dëshmuar një moment historik. Pas pesë vitesh ndërprerjeje, nxënësit shqiptarë po uleshin përsëri në bankat e gjimnazit për të mësuar në gjuhën e tyre amtare. Fillimisht ishin planifikuar tri paralele, por numri i madh i nxënësve bëri që të formoheshin tri paralele, me nga 50 nxënës në secilën. Në fjalën e rastit, drejtori Etem Xheladini përshëndeti nxënësit dhe profesorët dhe uroi që kjo ditë të shënonte fillimin e një periudhe të re për arsimin shqip në Kumanovë. Një akt arsimor që mori përmasa kombëtare Ajo që ndodhi më 10 tetor nuk mund të kufizohet vetëm në dimensionin arsimor. Ngjarja mori përmasa shumë më të gjera. Në një vend u bashkuan prindër, qytetarë, intelektualë, arsimtarë, profesorë, përfaqësues të shoqatave, veteranë të arsimit, biznesmenë dhe përfaqësues të ndryshëm të komunitetit shqiptar. Përtej dallimeve politike dhe bindjeve individuale, të gjithë u bashkuan rreth një qëllimi, arsimit në gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë, iniciativa u shndërrua në një moment të rëndësishëm të unifikimit të faktorit shqiptar në Kumanovë dhe Likovë.

ROLI I DOKUMENTEVE

Rëndësia historike e kësaj ngjarjeje mbështetet edhe në dokumentet e kohës. Ndër dokumentet më të rëndësishme janë: “Platforma” për rihapjen e paraleleve të Gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe;
– komunikata e drejtuesit Etem Xheladini e datës 7
tetor 1991;
– shkresat me konkluzionet e mbledhjeve;
– dokumentet e përgatitjes së kuadrit;
– deklaratat e punonjësve;
– materialet e tjera të hartuara gjatë procesit.
Këto dokumente janë të rëndësishme jo vetëm për të dëshmuar se çfarë ndodhi, por edhe për të kuptuar si u mendua, si u organizua dhe si u realizua iniciativa. Pikërisht për këtë arsye, ruajtja dhe sistemimi i tyre është një detyrë me rëndësi historike.

NJË DËSHMI NGA SHTYPI I KOHËS

Ngjarja u përcoll edhe nga shtypi. Korrespondenti i gazetës “Flaka”, Demush Bajrami, në shkrimin e tij të datës 10 tetor 1991, e pasqyroi atmosferën e kësaj dite dhe emocionet e nxënësve. Dëshmitë e tilla janë të rëndësishme sepse japin një pasqyrë të drejtpërdrejtë të atmosferës së kohës dhe të mënyrës se si u përjetua kjo ngjarje nga pjesëmarrësit. Nga bankat e shkollës te sakrifica Rëndësia e këtyre paraleleve u dëshmua edhe në vitet që pasuan. Disa nga nxënësit e këtyre gjeneratave, të formuar në bankat e arsimit shqip dhe të rritur me idealet e lirisë dhe barazisë, në vitin 2001 u flijuan në altarin e lirisë. Kjo e bën edhe më të rëndësishme ruajtjen e kujtesës për fillimet e tyre arsimore. Shkolla nuk ishte vetëm vendi ku merrej dije. Ajo ishte edhe vendi ku formoheshin bindjet, përgjegjësia qytetare dhe vetëdija për të ardhmen.

KONTRIBUTI I PUNONJËSVE TË ARSIMIT

Në këtë histori nuk duhet harruar as kontributi i qindra punonjësve të arsimit në Kumanovë dhe Likovë. Ata, në kushte shpesh të vështira, vazhduan të punojnë për arsimimin e brezave të rinj dhe për ruajtjen e arsimit shqip. Me punën e tyre, ata ndërtuan themelet mbi të cilat arsimi shqip do të vazhdonte të zhvillohej. Sot, kur në Kumanovë ekzistojnë edhe nivele më të larta të arsimit, përfshirë Fakultetin “AB”, duhet kujtuar se çdo hap i tillë është rezultat edhe i përpjekjeve të gjeneratave që i paraprinë.

7 TETORI DHE 10 TETORI, DY DATA NJË HISTORI

Nëse 7 tetori 1991 ishte dita e vendimit, organizimit dhe marrjes së përgjegjësisë, atëherë 10 tetori ishte dita e realizimit. 7 tetor, vendimi.10 tetor, fillimi i mësimit, të dyja datat përbëjnë një tërësi historike. Për këtë arsye, nuk është e drejtë që njëra të kujtohet dhe tjetra të lihet në harresë. Akti i 7 tetorit duhet të kuptohet si momenti kur iniciativa u shndërrua në një vendim konkret, ndërsa 10 tetori si dita kur ai vendim u materializua në bankat e shkollës. Historia nuk duhet të harrohet, pas kaq vitesh, është detyrë e institucioneve arsimore, e studiuesve, e gjeneratave të reja dhe e të gjithë atyre që e çmojnë historinë e arsimit shqip që këto ngjarje të dokumentohen dhe të ruhen. Nuk bëhet fjalë vetëm për të nderuar individë. Bëhet fjalë për të ruajtur një pjesë të kujtesës kolektive. Rihapja e paraleleve të Gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe në Kumanovë ishte rezultat i një pune të organizuar, i një vendosmërie të fortë dhe i një përgjegjësie të marrë në një kohë kur rrethanat nuk ishin të lehta. Ajo nuk ishte rastësi, ishte një iniciativë e menduar, e përgatitur dhe e realizuar. Ishte një akt i vetëdijshëm për të mos pritur më që dikush tjetër ta zgjidhte problemin. Ishte momenti kur një pjesë e shoqërisë shqiptare të Kumanovës vendosi të marrë përgjegjësinë në duart e veta. Dhe pikërisht për këtë arsye, 7 dhe 10 tetori 1991 duhet të mbeten në kujtesën historike të arsimit shqip në Kumanovë. Jo vetëm si data të një ngjarjeje të kaluar, por si dëshmi se, edhe në rrethana të vështira, një komunitet i organizuar mund të hapë rrugë për brezat që vijnë. Kjo është historia që duhet të ruhet. Kjo është dëshmia që nuk duhet të harrohet.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.