I riu Jovan Kostadinov u përshëndet me duartrokitje për shpëtimin e më shumë se 20 të rinjve nga zjarri në Koçan (Video)
Heroi i ri, 19 vjeçari Jovan Kostadinov, i cili shpëtoi më shumë se 20 të rinj gjatë zjarrit tragjik që shpërtheu në diskotekën e Koçanit, është në gjendje të mirë dhe është kthyer në shtëpi. Ai nga shokët e klasës në gjimnazin “Vanço Prqe” në Vinicë u prit me pankarta mirënjohjeje për sakrificën dhe guximin […]


Heroi i ri, 19 vjeçari Jovan Kostadinov, i cili shpëtoi më shumë se 20 të rinj gjatë zjarrit tragjik që shpërtheu në diskotekën e Koçanit, është në gjendje të mirë dhe është kthyer në shtëpi. Ai nga shokët e klasës në gjimnazin “Vanço Prqe” në Vinicë u prit me pankarta mirënjohjeje për sakrificën dhe guximin e tij, si dhe me duartrokitje, raporton Telma, transmeton Portalb.mk.
Jovani, duke hyrë e dalë nga zjarri për të shpëtuar sa më shumë njerëz e rrezikoi jetën pa pikë egoizmi, pa patur frikë nga flakët. Plagët në trupin e Jovanit flasin për heroizmin e jashtëzakonshëm që duhet të jetë shembull për të gjithë ne.
Ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, për Jovanin ka shkruar se ai nuk është vetëm hero i Koçanit, por edhe i mbarë vendit tonë.
“Sot, me një emocion të thellë dhe krenari të pakufishme, ndaj me ju lajmin se më në fund është rikthyer në shtëpi Jovan Kostadinovi, trimi që shpëtoi 21 jetë në tragjedinë e Koçanit. Ka çaste kur fjalët nuk mjaftojnë dhe ky është një prej tyre. E si mund të përshkruhet një shpirt kaq trim dhe joegoist, që në çaste paniku dhe rreziku nuk mendoi për veten, por vetëm për të tjerët? Jovani, i cili është vetëm 19 vjet, ka vepruar si një hero i vërtetë. Ai ka hyrë sërish e sërish, jo një herë, jo dy herë, por më shumë se 20 herë, që t’i ndihmojë të rinjtë që ishin bllokuar nga flakët. Ai e rrezikoi jetën e tij për t’i shpëtuar të tjerët. Trupi i tij mban plagët e heroizmit të tij, por zemra e tij mban diçka shumë më të madhe: respektin, admirimin dhe dashurinë e një kombi të tërë. Jovani nuk është vetëm një hero i Koçanit. Ai është një hero i të gjithë vendit tonë. Ai është një simbol i asaj që do të thotë ta vësh njerëzimin mbi frikën. Një përkujtim për të gjithë ne se sa shumë mund të bëjë një person me zemër të madhe. Mirë se erdhe në shtëpi, Jovan. Historia jote do të jetojë përgjithmonë, në jetët që i ke shpëtuar, në familjet që janë ribashkuar dhe në zemrat e çdo qytetari që tani e di emrin tënd. Në emër të të gjithë qytetarëve, një gjë do ta them me zë të lartë dhe shumë qartë: Nuk do të harrojmë kurrë”, ka shkruar ministri Taravari në profilin e tij në Facebook.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.