Ideja e shumë-premtuar për Qendër të re Klinike në pauzë, spitali “8 Shtatori” po përgatitet të bëhet qendër rajonale
Planifikojmë që Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit (SPQ) “8 Shtatori” në Shkup ta bëjmë qendër rajonale për trajtimin e pacientëve nga kryeqyteti, por edhe nga Kumanova dhe Velesi, tha drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSh), Sasho Klekovski, duke prezantuar buxhetin e Fondit për këtë vit, duke theksuar se riorganizimi i këtij spitali është pjesë […]
![Ideja e shumë-premtuar për Qendër të re Klinike në pauzë, spitali “8 Shtatori” po përgatitet të bëhet qendër rajonale](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2023/05/8-Shtatori.jpg?fit=1000%2C614&quality=89&ssl=1)
![Spitali "8 Shtatori" Shkup, foto: Portalb.mk](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2023/05/8-Shtatori.jpg)
Planifikojmë që Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit (SPQ) “8 Shtatori” në Shkup ta bëjmë qendër rajonale për trajtimin e pacientëve nga kryeqyteti, por edhe nga Kumanova dhe Velesi, tha drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSh), Sasho Klekovski, duke prezantuar buxhetin e Fondit për këtë vit, duke theksuar se riorganizimi i këtij spitali është pjesë e strategjisë së qeverisë për shëndetësi, transmeton Portalb.mk.
Ai shtoi se ideja për ndërtimin e një qendre të re klinike është lënë në pritje, në mënyrë që të merren parasysh nevojat e shoqërisë.
“Demografia po bie. Me kalimin e viteve kemi gjithnjë e më pak popullsi, ndaj duhet të shikojmë numrin e të siguruarve dhe pacientëve. Disa nga ambientet spitalore në të gjithë vendin nuk përdoren siç duhet. Nga të gjitha objektet ekzistuese në Maqedoni, më afër standardeve për diçka më shumë, duke përfshirë një klinikë universitare, është ‘8 Shtatori’,” tha ai.
Sipas tij, “8 Shtatori” ka 150 metra katrorë për krevat spitalor në krahasim me spitalin e vjetër të qytetit, që ka pak më shumë se 30 metra katrorë.
“Për shkak të atij kapaciteti, si dhe infrastrukturës së spitalit, pritet që të ketë një investim për të parë se sa mund të lehtësohet Qendra Klinike, sa i përket shëndetësisë dytësore. Por më duhet të them që në spitalin 8 Shtatori kryhen metoda që nuk kryhen në Klinikë. Këtu shohim potencialin më të madh, gjegjësisht për të marrë përgjigje më të mirë me sa më pak investim. Aty do të ketë edhe projekte të reja, që ai spital të jetë shumë më tepër se sa është tani”, tha drejtori i FSSH-së.
Megjithatë, ai shtoi se për këtë nevojiten edhe ndryshime ligjore.
Edhe në raportet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), siç tha ai, bëhet me dije se nevojitet riorganizimi i trajtimit spitalor në vend dhe se kjo duhet të përkthehet në praktikë.
Qendra e re Klinike vazhdon të jetë vetëm një premtim që deri tani nuk është realizuar. Në vitin 2019, ish-kryeministri Zoran Zaev tha se ndërtimet do të fillojnë në vjeshtë të atij viti. Për këtë investim ishte siguruar edhe kredi nga Banka Qendrore Evropiane, por deri tani Qendra e re Klinike nuk është ndërtuar.
- LEXO: Qendra e re Klinike për tre vjet ka thithur gjysmë milioni euro për njëzet persona me kontratë në vepër
- LEXO: Qeveria e miratoi informatën për ndërtimin e Qendrës së re Klinike
- LEXO: Zaev: Në vjeshtë fillojmë me ndërtimin e Qendrës së re klinike
- LEXO: Mexhiti: Mbretëria e Bashkuar do të financojë ndërtimin e një Qendre të re Klinike