Infrastruktura në Tetovë vazhdon të jetë ‘armike’ e personave në karroca, asgjë nga plani i premtuar 

Ndonëse para gjysmë viti u paralajmërua se Komuna e Tetovës harton një plan për personat me aftësi të veçanta për të pasur qasje në të gjitha rrugët dhe trotuaret, i njëjti ende nuk është bërë publik për opinionin, shkruan Portalb.mk. Nga komuna thonë se është në fazë të avancuar por nuk tregojnë se kur konkretisht […]

Mars 16, 2025 - 11:00
 0  3
Infrastruktura në Tetovë vazhdon të jetë ‘armike’ e personave në karroca, asgjë nga plani i premtuar 
Bulevardi "V.S. Bato" (Industrial) në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndonëse para gjysmë viti u paralajmërua se Komuna e Tetovës harton një plan për personat me aftësi të veçanta për të pasur qasje në të gjitha rrugët dhe trotuaret, i njëjti ende nuk është bërë publik për opinionin, shkruan Portalb.mk. Nga komuna thonë se është në fazë të avancuar por nuk tregojnë se kur konkretisht do të jetë gati. 

Shumë rrugë dhe trotuare në Tetovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me karroca, kështu duke ua vështirësuar lëvizjen kësaj kategorie të qytetarëve. 

korrik 2024 kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami deklaroi se komuna harton plan mobiliteti për personat me aftësi të veçanta për të pasur qasje në të gjitha rrugët dhe trotuaret. 

Megjithatë, një plan i tillë nuk është prezantuar ende, edhe pas tetë muajve. 

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se procesi i përpilimit të këtij plani është në fazë të avancuar dhe po realizohet me përkushtim të plotë për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, përfshirë edhe personat me aftësi të veçanta. 

“Deri më tani, janë kryer analizat fillestare, është bërë incizimi i qytetit me dronë me rezolucion të lartë dhe janë vendosur kamera në disa udhëkryqe për të monitoruar rrjedhën e mjeteve pjesëmarrëse në trafik. Kjo analizë do të vazhdojë edhe në disa pika të tjera strategjike për të siguruar të dhëna sa më të sakta dhe të plota”, thanë nga Komuna e Tetovës. 

Nga atje shtuan se në bazë të këtyre analizave, do të definohen kategoritë e rrugëve, drejtimi i lëvizjes, lloji i udhëkryqeve dhe organizimi i trafikut për të gjithë pjesëmarrësit, me fokus të veçantë te këmbësorët dhe personat me nevoja të veçanta. 

“Duke qenë se ky është një plan strategjik me afat të gjatë, ai kërkon një qasje të detajuar dhe një proces të thelluar analizash. Aktualisht, puna është në vijim dhe sapo të përfundojë, dokumenti do të bëhet publik për të gjithë qytetarët dhe institucionet e interesuara”, thanë nga Komuna e Tetovës. 

Komuna e Tetovës mbetet e përkushtuar për të krijuar një infrastrukturë moderne, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse, duke u siguruar që çdo investim të bëhet në bazë të një plani të mirëstrukturuar dhe të qëndrueshëm. 

Kasami së fundmi deklaroi se plani i mobilitietit pritet të jetë gati diku nga fundi i muajit prill. 

Kujtojmë që në një debat për këto probleme, në tetor të vitit 2023 kryetari i Komunës së Tetovës u shpreh i gatshëm që do të punojnë në këtë drejtim në Tetovë, megjithatë situata në terren mbetet e pandryshuar.