Ministria e Arsimit në RMV s’e ka idenë ku janë studentët që i financoi jashtë vendit, pas 15 vitesh ka filluar të marrë masa

Nga 400 studentë të Maqedonisë së Veriut që kanë kryer në universitetet më të mira në botë me financim nga shteti, vetëm 50% e tyre janë kthyer në vend, por Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), nuk e ka idenë nëse janë punësuar. Për më tepër, për fatin e pjesës tjetër të studentëve nuk dihet […]

Mars 16, 2025 - 11:00
 0  4
Ministria e Arsimit në RMV s’e ka idenë ku janë studentët që i financoi jashtë vendit, pas 15 vitesh ka filluar të marrë masa
Studentë, diplomim. Foto: Emily Ranquist/Pixabay

Nga 400 studentë të Maqedonisë së Veriut që kanë kryer në universitetet më të mira në botë me financim nga shteti, vetëm 50% e tyre janë kthyer në vend, por Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh), nuk e ka idenë nëse janë punësuar. Për më tepër, për fatin e pjesës tjetër të studentëve nuk dihet asgjë, pasi në përgjigje të pyetjeve të Portalb-it, MASh nuk e përmend aspak pjesën tjetër, që i bie të jenë rreth 200 persona. Nga ana tjetër, kjo masë, zbatohet për gati 15 vite dhe vetëm tani, autoritetet kanë filluar të marrin masa për këtë problem, përkatësisht për harxhime që paguhen nga taksat e qytetarëve, pas të cilave vendi nuk merr mbrapsht asgjë, raporton Portalb.mk

“Deri më tani rreth 50% e bursistëve janë kthyer në Maqedoni, por ministria nuk ka të dhëna nëse dhe ku janë punësuar. Për këtë arsye Ministria e Arsimit dhe Shkencës po prezanton një regjistër në të cilin do të regjistrohen të gjithë përfituesit e rinj të bursës, ndërsa thirrje u është dërguar edhe ish-studentëve, për hir të thjeshtimit, komunikimit dhe rrjetëzimit”, thuhet në përgjigjen e MASh-it.

Të pyetur për ankesat e disa prej bursistëve po ashtu konfirmojnë se nuk janë kontaktuar nga Ministria pas diplomimit, Ministria e Arsimit pranon se komunikimi është ulur ndjeshëm në shtatë vitet e fundit.

“Komunikimi është ulur ndjeshëm në 7 vitet e fundit, dhe tani është duke u intensifikuar”, thanë nga MASh.

Duke pasur parasysh investimin e madh që shteti bën në këtë program të bursave dhe faktin që nuk merret mbrapsht ajo që pritet, pyetëm nëse ka ka analizë për ndikimin e këtij programi në zhvillimin e ekonomisë, por nga MASh thonë se duhet të sigurohet staf me njohuri që do të zbatohen në vendin tonë, por që në fakt nuk ndodh këtu.

“Masa duhet të sigurojë staf me njohuri nga universitetet dhe profesorët më të mirë në botë dhe të zbatohet profesionalisht në vend, duke ndihmuar kështu zhvillimin. Por duke qenë se nuk kishte mekanizëm adekuat, kjo nuk ishte realizuar në të kaluarën. Prandaj në konkursin e fundit po ndryshojmë kushtet për shfrytëzimin e bursës dhe detyrimet pas diplomimit”, thekson MASh.

MASh tani me kushte të reja

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska më 19 shkurt, duke rikujtuar se kjo masë që shteti e zbaton tanimë 15 vjet, kësaj radhe do të jetë me disa modifikime të kushteve për përfituesit pas marrjes së diplomës

“Qëllimi i ndryshimeve është që të sigurohet efektiviteti i kësaj mase, e cila kushton shumë, duke pasur parasysh se studimi në universitetet më të mira është jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe çdo vit paguajmë deri në 40 mijë dollarë vetëm për të mbuluar regjistrimin, dhe përveç kësaj, mbulohen shpenzimet e jetesës, akomodimit dhe transportit të studentëve tanë”, theksoi Janevska.

Pas kthimit, bursistët duhet të paraqiten në MASh dhe për herë të parë të regjistrohen në regjistër të posaçëm digjital (e-registar.mon.gov.mk), që po po prezantohet këtë vit dhe që do të ndahet me autoritetet shtetërore, universitetet dhe odat ekonomike, në drejtim të gjetjes më të lehtë të një angazhimi të përshtatshëm pune. Nëse studentit nuk i ofrohet angazhim brenda gjashtë muajve nuk i përfundon obligimi për të punuar në shtet.

Nëse studenti, brenda tre muajve pas diplomimit, punësohet në një kompani Fortune 500 jashtë vendit, atëherë ai mund të qëndrojë jashtë RMV-së maksimumi tre vjet, me qëllim që siç tha ministrja, duke fituar përvojë korporative ndërkombëtare, pas së cilës fillon obligimi i tij për të punuar në vendin e tij dyfish më shumë se gjatë kohës së studimit.

“Nëse kandidati vendos të mos kthehet në vend, gjegjësisht nuk i plotëson obligimet e marrëveshjes së nënshkruar, do të duhet të kthejë mjetet, aq sa ka paguar Ministria për studimet në afat prej dy viteve pas përfundimit të studimeve. Në të kaluarën është kërkuar kthimi i një shume dhjetëfish më të madhe, që në fakt ka qenë dispozitë kontraktuale e pazbatueshme”, shtoi ministrja.

Duke iu referuar regjistrit digjital të bursistëve jashtë vendit, Janevska theksoi se qëllimi është që të paraqiten të gjithë studentët e diplomuar dhe studentë aktualë jashtë vendit, të cilët shfrytëzojnë bursë nga MASH-i, në mënyrë që shteti të ketë një pasqyrë të gjendjes së secilit bursistë.

Regjistri përmban të dhëna për studentin, llojin e studimeve, periudhën e studimit, statusin e punësimit, kontakt të dhënat, etj, dhe të gjithë do të duhet të përditësojnë të dhënat e tyre të paktën një herë në vit nëse ka ndonjë ndryshim. Studenti mund të zgjedhë ta bëjë profilin e tij të dukshëm dhe kështu do të jetë më e lehtë të lidhet me studentët e tjerë, me institucionet shkencore dhe arsimore dhe me punëdhënësit.

“Tashmë jemi në komunikim me shumë studentë për t’u paraqitur dhe duke qenë se mund t’ju sjellë vetëm dobi, pres bashkëpunim dhe veprim. Ndërsa është kënaqësi për mua të ndaj me ju se Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë ka filluar bashkëpunimin me disa studentë të diplomuar, të cilët kanë dëshirë dhe po punojnë me shumë entuziazëm për zhvillimin dhe promovimin e vendit të tyre”, tha ministrja.

Janevska u bëri thirrje të gjithë të interesuarve që t’i shohin kushtet në konkurse dhe nëse i plotësojnë, duhet të shfrytëzojnë mundësinë që deri më tani e kanë shfrytëzuar rreth 400 qytetarë të Maqedonisë, për t’i avancuar njohuritë e tyre në universitetet e njohura botërore.

Kush mund të aplikojë

Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë i ka shpallur konkurset për ndarjen e bursave për vitin akademik 2025-2026, ndërsa afati i fundit për aplikimit është 12 shtator.

Në konkurset mund të aplikojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut të cilët në vitin akademik 2025/2026 do të regjistrohen në një nga dhjetë universitetet e para të ranguara nga të gjitha fushat, gjegjësisht në një nga njëqind universitetet e para të renditura në fushën e shkencave teknike, arkitekturës, ndërtimtarisë, matematikës, të drejtës ndërkombëtare, ekonomisë dhe financave, fizikës, biologjisë, kimisë, shkencave të gjenetikës, sipas listës së fundit të publikuar në Qendrën për universitetet e klasit botëror të Universitetit Xhio Tong të Shangait.

Kandidati duhet të ketë arsim përkatës të mëparshëm dhe notë mesatare përkatëse të përcaktuar në konkurs dhe të mos jetë për momentin përfitues i ndonjë burse nga një ofrues tjetër. Për bursistët mbetet detyrimi që pas marrjes së diplomës të kthehen në Maqedoni dhe të punojnë dy herë më shumë se sa gjatë studimeve.

Ndryshe një artikull i Prizmës, tregoi se shteti nuk i shfrytëzon në mënyrë efikase të rinjtë, për shkollimin jashtë shtetit, të cilëve u ndan shuma serioze nga buxheti

Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) në raport shënon se nuk ekziston një sistem efikas për monitorim se cilët nga bursistët i kanë përmbushur detyrimet e kontratave.

Në katër vitet e fundit, sipas raportit të EShR-së, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpenzuar rreth 8,8 milionë euro për këta studentë.

Shuma maksimale e paguar nga MASH-i është 40.000 dollarë në vit për një bursist.

Forumi Arsimor Rinor (FAR) e shpjegon këtë më qartë në hulumtimin e tij “Potenciali i pashfrytëzuar studentor” të botuar në qershor të vitit të kaluar.

“Të rinjtë kur i përfundojnë studimet zakonisht kthejnë vetëm një të dhënë në formë vërtetimi për studimet e kryera. Pas kësaj rruga e karrierës së këtyre studentëve nuk ndiqet fare”, thotë Llucija Çukellovska, një nga autoret e hulumtimit.

Këtë e konfirmojnë edhe bursistët me të cilët ka folur BIRN. Ata thonë se pas përfundimit të studimeve pothuajse nuk ka asnjë komunikim me MASH-in.