Intensifikohen përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur, Hoti tregon se çfarë bisedoi me Sorensenin

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gjatë kësaj jave janë informuar familjet e 12 personave të zhdukur lidhur me identifikimin e mbetjeve të tyre mortore. Kryetari i këtij komisioni, Andin Hoti, në një prononcim për IndeksOnline bëri të ditur se gjatë këtij viti janë gjetur eshtra që potencialisht i përkasin personave të

Mars 20, 2025 - 13:00
 0  6
Intensifikohen përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur, Hoti tregon se çfarë bisedoi me Sorensenin
intensifikohen-perpjekjet-per-gjetjen-e-personave-te-zhdukur,-hoti-tregon-se-cfare-bisedoi-me-sorensenin

intensifikohen-perpjekjet-per-gjetjen-e-personave-te-zhdukur,-hoti-tregon-se-cfare-bisedoi-me-sorensenin

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gjatë kësaj jave janë informuar familjet e 12 personave të zhdukur lidhur me identifikimin e mbetjeve të tyre mortore.

Kryetari i këtij komisioni, Andin Hoti, në një prononcim për IndeksOnline bëri të ditur se gjatë këtij viti janë gjetur eshtra që potencialisht i përkasin personave të zhdukur në vendin e quajtur Obrançë, në Podujevë.

“Siç jeni njoftuar edhe përmes faqes zyrtare të komisionit, këtë javë janë informuar familjet e 12 personave të zhdukur për procesin e identifikimit të tyre. Gjithashtu, një muaj më parë kemi hasur në mbetje mortore që dyshohet se i përkasin personave të zhdukur, në zonën e Obrançës, Podujevë”, tha Hoti.

Hoti njoftoi gjithashtu se të martën është takuar me emisarin e ri të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ku ka diskutuar për çështjen e personave të zhdukur dhe zbatimin e Deklaratës për këtë kategori.

“Në takimin me z. Sorensen diskutuam për zhvillimet në Bruksel lidhur me Deklaratën dhe formimin e komisionit të përbashkët. E njoftova për prioritetet tona dhe theksova nevojën që Bashkimi Evropian të ushtrojë presion mbi Serbinë për zbatimin e Deklaratës për Persona të Zhdukur.

Zotimi i z. Sorensen ishte që çështja e personave të zhdukur do të trajtohet me prioritet dhe se shumë shpejt do të thirret takimi i radhës i komisionit”, deklaroi Hoti për IndeksOnline.

Sa u përket kërkimeve për personat e pagjetur, Hoti tha se deri tani janë zhvilluar punime në katër lokacione të ndryshme, ndërsa nga java e ardhshme pritet të fillojnë kërkimet edhe në dy lokacione të tjera.

“Çdo vit bëjmë planifikime bazuar në informacionet që marrim nga faktorë të ndryshëm. Deri tani kemi punuar në të paktën katër lokacione të ndryshme, ndërsa për javët në vijim kemi paraparë edhe dy lokacione të tjera. Në bazë të rivlerësimeve dhe informacioneve të reja, do të vazhdojmë me kërkime edhe në vende të tjera”, tha ai.

Ai gjithashtu theksoi se stafi i komisionit është i angazhuar edhe në mbledhjen e mostrave të gjakut nga disa familje që kanë bërë identifikime tradicionale pas luftës, për të ndihmuar në verifikimin e mbetjeve mortore.

Hoti, ka bërë të ditur se Serbia po refuzon bashkëpunimin në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke mos zbatuar asnjë nga pikat e deklaratës për këtë çështje.

“Sa i përket territorit të Serbisë, autoritetet e atjeshme vazhdojnë me të njëjtin politizim të çështjes, madje tani po refuzojnë qasjen në lokacione të ndryshme në territorin e tyre. Për më tepër, Serbia nuk ka zbatuar asnjë nga pikat e Deklaratës për Persona të Zhdukur, e cila përfshin edhe hapjen e arkivave të klasifikuara që ne i kemi kërkuar prej kohësh”, tha Hoti për IndeksOnline.

Sipas të dhënave të fundit të Kryqit të Kuq, deri në janar të këtij viti në Kosovë figurojnë ende të zhdukur 1,612 persona nga lufta e viteve 1998-1999.

Autoritetet kosovare vazhdojnë të kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar dhe presion më të madh ndaj Serbisë për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të këtyre personave dhe për të ofruar drejtësi për familjarët e tyre.