Irani sfidon Trump për Italinë:S’kemi arsye ta godasim Romën,e duam popullin italian
“Përse duhet ta godasim Italinë? Ne e duam popullin italian, futbollin, ushqimin. Duam Romën, Riminin, Pisën, Milanon, Napolin, Siçilinë dhe gjithçka që është mes tyre”. Nga zyrtarë iranianë mbërrin një përgjigje ndaj deklaratave që presidenti amerikan Donald Trump bëri për Corriere della Sera ku u shpreh se Irani ka armë bërthamore që e hedhin Italinë […]
“Përse duhet ta godasim Italinë? Ne e duam popullin italian, futbollin, ushqimin. Duam Romën, Riminin, Pisën, Milanon, Napolin, Siçilinë dhe gjithçka që është mes tyre”.
Nga zyrtarë iranianë mbërrin një përgjigje ndaj deklaratave që presidenti amerikan Donald Trump bëri për Corriere della Sera ku u shpreh se Irani ka armë bërthamore që e hedhin Italinë në erë për dy minuta. Reagimi i cituar nga vetë gazeta e njohur italiane, vjen nga ambasada e Iranit në Tajlandë përmes një postimi në platformën X, ku nënvizohet admirimi për Italinë, një qasje kjo që sipas Corrieres mund të ketë edhe një tjetër interpretim: Strategjia që ajatollahët po përdorin pas dështimit të bisedimeve në Islamabad mund të jetë ushqimi i ndasive në radhët e një Bashkimi Europian të brishtë me pasigurinë, mosvendosjen dhe frikërat e tij.
Trump më herët e kritikoi ashpër kryeministren Meloni, një nga aleatët e tij kryesorë europianë, për shkak të mosgatishmërisë së saj për t’u bashkuar me luftën me Iranin, e pati një përplasje me të edhe lidhur me Papën Leoni XIV. “Jam i shokuar prej saj. Mendova se kishte guxim, por gabohesha”, tha ai në intervistën për Corriere della Sera. Intervista u botua një ditë pasi Meloni dënoi si “të papranueshme” kritikat e Trump ndaj Papës, në vazhdën e thirrjeve të përsëritura të Atit të Shenjtë për t’i dhënë fund ndërhyrjes së SHBA-së në Iran.
Meloni, udhëheqëse konservatore e Italisë që nga tetori 2022, ka qenë një nga aleatët më të ngushtë të Trump në Europë dhe shpesh kërkon të veprojë si ndërmjetës midis pikëpamjeve të ndryshme amerikane dhe europiane.