Ivanovska për kryetaren e KSHPK-së të dyshuar në “Aditiv”: Më vjen keq për reputacionin e Antikorrupsionit, e vërteta do të dalë në dritë
Parlamenti është institucioni që zgjedh anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe padyshim që duhet të ushtrojë mbikëqyrje më të madhe mbi këto organe të pavarura, tha ish-kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Biljana Ivanovska, në paraqitjen e djeshme në emisionin “Win Win” në TV Telma, transmeton Portalb.mk. Komenti i saj erdhi pasi kryetarja […]


Parlamenti është institucioni që zgjedh anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe padyshim që duhet të ushtrojë mbikëqyrje më të madhe mbi këto organe të pavarura, tha ish-kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Biljana Ivanovska, në paraqitjen e djeshme në emisionin “Win Win” në TV Telma, transmeton Portalb.mk.
Komenti i saj erdhi pasi kryetarja aktuale e KShPK-së, Tatjana Dimitrovska, hetohet prej dje nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) në kuadër të rastit “Aditiv”, ndërsa Gjykata Themelore Penale në Shkup vendosi masa paraprake ndaj saj.
Ivanovska tha se i vjen shumë keq për KSHPK-në dhe reputacionin e saj, sepse, siç shtoi ajo, është investuar shumë përpjekje në institucion për ta ndërtuar atë, por edhe për të ndërtuar besimin tek qytetarët se ekziston një organ i pavarur të cilit mund t’i drejtohen, të paraqesin ankesa ose të ngrenë raste.
“Nuk e di dhe nuk mund të komentoj për drejtimin në të cilin po zhvillohet hetimi. Sidoqoftë, do të them se është një ndjenjë shumë, shumë e pakëndshme. E vërteta është si një fëndyell, besoj se do të dalë në sipërfaqe, nuk dua të paragjykoj asgjë, por në çdo rast, Parlamenti është ai që zgjedh kandidatët për anëtarë të Komisionit, mendoj se duhet të forcojë mbikëqyrjen e tij mbi punën e këtyre organeve të pavarura,” tha Ivanovska në një paraqitje në TV Telma.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) ka përfshirë edhe tre persona të tjerë në hetimin e rastit “Aditiv”, përfshirë edhe kryetaren aktuale të KShPK-së, Tatjana Dimitrovska. Ajo dyshohet se i ka zbuluar sekrete zyrtare një të pandehuri tjetër në këtë çështje përmes aplikacioneve Whatsapp dhe Viber. Me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik për Hetime Penale, Gjykata Themelore Penale e Shkupit vendosi masa paraprake ndaj Dimitrovskës.