Janë aktivizuar ekipe profesionale për ndërhyrje në krizë dhe mbështetje psikosociale për familjet e të prekurve në Koçan

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në bashkëpunim me Qendrat Ndërkomunale për Punë Sociale në Koçan dhe Shtip, ka ndërmarrë masa për të ofruar mbështetje për familjet e prekura nga tragjedia që ndodhi herët në mëngjes në diskotekën e Koçanit, njofton Portalb.mk.  “Si përgjigje ndaj kësaj tragjedie, janë vënë në dispozicion ekipe profesionale për […]

Mars 16, 2025 - 17:00
 0  5
Janë aktivizuar ekipe profesionale për ndërhyrje në krizë dhe mbështetje psikosociale për familjet e të prekurve në Koçan
Zjarri në diskotekën "Pulse" në Koçan. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në bashkëpunim me Qendrat Ndërkomunale për Punë Sociale në Koçan dhe Shtip, ka ndërmarrë masa për të ofruar mbështetje për familjet e prekura nga tragjedia që ndodhi herët në mëngjes në diskotekën e Koçanit, njofton Portalb.mk

“Si përgjigje ndaj kësaj tragjedie, janë vënë në dispozicion ekipe profesionale për ndërhyrje në krizë, ndihmë dhe mbështetje psikosociale për familjet e të ndjerëve dhe të lënduarve. Këto ekipe, të përbëra nga psikologë, punonjës socialë dhe profesionistë të tjerë, janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje të menjëhershme dhe afatgjatë për të gjithë ata që po përballen me dhimbjen dhe pasojat e këtij rasti të rëndë.” njoftojnë nga ministria.

Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për ndihmë psikosociale mund të kontaktojnë në numrat e mëposhtëm të telefonit:

Koçan: 071/246 377
Shtip: 076/475 050
Probishtip: 077/615 910

“Në këtë moment të vështirë, u bëjmë thirrje të gjithë personave të prekur që të shfrytëzojnë ndihmën e ofruar, ndërsa institucionet, vetëqeverisjet lokale dhe sektori civil të vazhdojnë me përpjekje të koordinuara për t’u përballuar me pasojat e kësaj tragjedie” njoftojnë nga ministria.

Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur.

Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 24 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.