Riregjistrimi i lëndëve në UKM, sa kushton dhe ku paguhet më shumë?
Krahas participimit dhe rritjes së pagesave për “burime online” dhe “burime materiale”, të cilat në fakultete të caktuara arrijnë edhe deri në 4.000 denarë, studentët e disa fakulteteve të Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) paguajnë edhe një shumë për riregjistrimin e lëndëve që është më e lartë se ajo që është e paraparë në […]


Krahas participimit dhe rritjes së pagesave për “burime online” dhe “burime materiale”, të cilat në fakultete të caktuara arrijnë edhe deri në 4.000 denarë, studentët e disa fakulteteve të Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) paguajnë edhe një shumë për riregjistrimin e lëndëve që është më e lartë se ajo që është e paraparë në çmimoren e unifikuar të universitetit, e cila u prezantua vitin e kaluar, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve që Meta.mk i ka marrë nga studentët, ata në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe në Fakultetin Juridik kanë një pagesë shtesë për riregjistrimin e lëndëve, e cila nuk është e paraparë në çmimoren e nënshkruar nga të gjitha fakultetet e UKM-së, e as nuk bën pjesë në burimet materiale dhe ato online.
Për “konsulta dhe mbështetje” – 1.200 denarë
Sipas çmimores së unifikuar të UKM-së, kur një student bën riregjistrim të një lënde, ai duhet të paguajë një shumë të caktuar në varësi të krediteve që ka ajo lëndë.
Kështu, studentët e rregullt në kuotën shtetërore për riregjistrim të një lënde me 4 kredi duhet të paguajnë 14 euro në denarë, pagesa për një lëndë me 5 kredi pagesa është 17 euro në denarë, për lëndë me 6 kredi duhet të paguajnë 20 euro në denarë, ndërsa për lëndët me 7 kredi 23 euro në denarë.
Për studentët që nuk bëjnë pjesë në kuotën shtetërore kjo shumë është dy herë më e lartë.
Por këtë semestër, një student në Fakultetin Juridik gjatë regjistrimit të semestrit nga referentet e administratës së fakultetit për herë të parë dëgjon se tani i është shtuar edhe një pagesë. Ata i thonë se krahas 1.200 denarëve për një lëndë me 6 kredi, ai tani duhet të paguajë edhe 1.200 denarë për “konsulta dhe mbështetje”.
“U drejtova te administrata studentore me fletëpagesa për participimin, fletëpagesa për shpenzime materiale dhe digjitale dhe edhe me fletëpagesë për riregjistrim të lëndës. Ma mbajtën indeksin dhe më thanë se për ta riregjistruar lëndën më duhet të paguaj edhe 1.230 denarë për “konsulta dhe mbështetje”. Më thanë se kjo është diçka e re. Kjo është hera e parë që po dëgjoj për një pagesë të tillë”, thotë një student i vitit të tretë.
Në njoftimin zyrtar të Fakultetit Juridik lidhur pagesat për semestrat, ku theksohet se shpenzimet shtesë janë ulur nga 5.500 denarë në 4.000 denarë, nuk ka njoftim për studentët për pagesa shtesë për riregjistrimin e lëndëve, ndërkohë që për këtë nuk arritëm të gjejmë njoftim as në faqen zyrtare të fakultetit.
Studentëve të ndryshëm u janë dhënë shpjegime të ndryshme për këto 1.200 denarë – disave iu është thënë se duhet të paguajnë për “konsulta dhe mbështetje”, ndërsa disa të tjerëve u është thënë se ky është dënim që nuk e kanë kaluar provimin, edhe pse studentët tashmë paguajnë për ECTS kreditë e tyre. Por ajo që është e përbashkët për të gjitha versionet është se paratë derdhen në një llogari.
Për pyetjet tona lidhur me këtë temë drejtuar Fakultetit Juridik dhe Parlamentit Studentor të Fakultetit nga ata nuk morëm asnjë përgjigje.
Për riregjistrim të lëndës për të tretën herë – 3.000 denarë
Frymëzim për këto pagesa me sa duket është Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, i cili tashmë për një kohë të gjatë e aplikon këtë pagesë për riregjistrimin e lëndëve.
Në udhëzimet për pagesën dhe regjistrimin e semestrit 2024/2025 thuhet se studentët të cilët deri në sesionin e provimit gusht/shtator nuk i kanë dhënë provimet nga semestri dimëror i vitit paraprak akademik, janë të detyruar që t’i riregjistrojnë ato me një pagesë shtesë prej 1.200 denarësh për çdo lëndë të riregjistruar për herë të parë, dhe prej 3.000 denarësh për riregjistrimine një lënde për herë të dytë, të tretë e kështu me radhë.
Kësaj shume i shtohen kreditë ECTS në një shumë e cila varet nga numri i kredive të të cilat i ka lënda.
Nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike sqarojnë se çmimi nuk ka ndryshuar që nga viti 2007 dhe harmonizimi me çmimoren e unifikuar është terminologjik.
“Pagesa është në përputhje me Vendimin për përcaktimin e lartësisë së pagesës për riregjistrimin e lëndëve mësimore për studentët që studiojnë sipas sistemit të kredive ECTS nga viti 2007 dhe ndryshimin e tij nga viti 2024, që e harmonizon atë me çmimoren e re të UKM-së (çmimi nuk ka ndryshuar që nga viti 2007, ndërsa harmonizimi është terminologjik)”, sqarojnë nga Fakulteti.
Sipas tyre, kjo shumë i mbulon burimet shtesë të paplanifikuara që angazhohen gjatë riregjistrimit të lëndëve, si organizimi i përsëritjes së procesit mësimor dhe riangazhimi i burimeve për studentin.
“Studentët jo vetëm që janë në dijeni dhe informohen rregullisht me vendimin dhe pagesat që burojnë nga ai, por edhe e kanë mbështetur atë gjatë miratimit nga Dekanati i Fakultetit, ku kanë përfaqësuesin e tyre”, thonë nga atje.
Nga Parlamenti Studentor i Fakultetit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike nuk morëm asnjë përgjigje lidhur me këtë temë.
Studentët në 12 fakultete nuk kanë pagesa të këtilla
Meta.mk kontaktoi me të gjitha fakultetet e tjera në UKM, ndërsa deri në shkrimin e këtij teksti, pyetjeve tona lidhur me këtë temë iu përgjigjën 12 fakultete, nga ku na thanë se nuk kanë pagesa të tilla, pra që studentët paguajnë vetëm për transferin e kredive ECTS.
Çmimorja e unifikuar ose Aneksi i Rregullores për kushtet, kriteret, rregullat dhe procedurat e studimit në ciklin e parë (universitar) dhe të dytë (pasuniversitar) është miratuar vitin e kaluar me qëllim që të barazohen çmimet për shërbimet në të gjitha fakultetet.
Studentët e UKM-së për të njëjtin shërbim në fakultete të ndryshme paguanin çmime të ndryshme. Kështu, vërtetimi për student të rregullt në disa fakultete paguhej 200 denarë, në disa të tjerë 100 denarë, ndërsa në disa të tjerë – si Fakulteti i Shkencave Informatike dhe i Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) – ishte pa pagesë. Por edhe pas miratimit të kësaj çmimoreje, duket qartë se riregjistrimi i lëndëve nuk paguhet njësoj në të gjithë fakultetet.
“Ne kemi harmonizuar tarifat e shkollimit në të gjithë UKM-në. Të gjitha shërbimet që paguhen nga studentët janë të harmonizuara. Disa fakultete kanë shpenzime shtesë për burime materiale dhe qasjenë rrjete që janë specifike për programet e tyre. Pra, disa fakultete kanë pagesa shtesë, ndërsa të tjerët i kanë ulur dhe i kanë harmonizuar ato. Të gjitha shërbimet që i kanë studentët tani janë harmonizuar dhe do të paguhen njësoj në të gjitha njësitë e UKM-së, pra është bërë harmonizimi mes studentëve dhe mes njësive”, deklaroi vitin e kaluar rektorja e UKM-së për Meta.mk.