SHGM dhe KEEMM me apel për raportim të kujdesshëm dhe etik për tragjedinë në Koçan
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli për Etikë në Media (KEMM) shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të prekurve nga zjarri tragjik që ndodhi në Koçan, duke pasur parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e rastit, u bëjnë thirrje të gjithë gazetarëve dhe mediave që të respektojnë në mënyrë konsekuente parimet […]


Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli për Etikë në Media (KEMM) shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të prekurve nga zjarri tragjik që ndodhi në Koçan, duke pasur parasysh seriozitetin dhe ndjeshmërinë e rastit, u bëjnë thirrje të gjithë gazetarëve dhe mediave që të respektojnë në mënyrë konsekuente parimet etike të Kodit të Gazetarëve dhe standardet e tjera profesionale, duke treguar kujdes të veçantë për të respektuar dhimbjen e familjeve të viktimave dhe të të lënduarve. transmeton Portalb.mk.
SHGM-ja dhe KEMM rikujtojnë se informimi duhet të bazohet në të dhëna të konfirmuara nga burime zyrtare, ndërsa spekulimet sensacionaliste dhe lajmet e pakonfirmuara duhet të shmangen.
Në këtë drejtim, u bëjnë thirrje mediave të respektojnë parimet e mëposhtme:
- Të shmangin sensacionalizmin, tituj dramatikë, fotografi dhe materiale video që mund të shkaktojnë shqetësim të mëtejshëm në publik.
- Të publikojnë vetëm informata të verifikuara, të marra nga burime të besueshme, të kontrolluara dhe të konfirmuara dy herë, pa spekulime dhe pohime të pakonfirmuara.
- Gjatë intervistimit dhe filmimit të dëshmitarëve ose familjarëve të viktimave, të tregojnë empati, respekt për ndjenjat e tyre dhe kujdes në mënyrën e parashtrimit të pyetjeve dhe zhvillimit të bisedës, në mënyrë që të mos shkaktohet ritraumatizim.
- Raportimi të jetë i matur dhe i paanshëm, për të mos krijuar shqetësim të mëtejshëm në publik përmes ekzagjerimeve ose interpretimeve sensacionale të ngjarjeve.
“Gazetarët duhet të udhëhiqen nga parimet e gazetarisë së përgjegjshme dhe humane, duke pasur parasysh se raportimet e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në opinionin publik dhe në gjendjen psikologjike të qytetarëve, thanë nga atje.
Ata inkurajuan të gjithë qytetarët që vërejnë shkelje të Kodit të raportojnë përmes formularëve zyrtarë të disponueshëm në faqet e internetit të SHGM-së dhe KEMM-it.
“Në këtë mënyrë, do të mundësohet identifikimi dhe evidentimi i mediave që nuk respektojnë standardet profesionale”, theksuan nga atje.
Në zjarrin që shpërtheu mëngjesin e 16 marsit në diskotekën ‘Pulse’ në Koçan të Maqedonisë së Veriut, 59 persona kanë vdekur ndërsa mbi 150 janë plagosur.
Sipas informacioneve të para, zjarri ka shpërthyer për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike që ishin përdorur për efektet vizuale gjatë koncertit. Viktimat janë të rinj nga mosha 14 deri në 24 vjeç. Një ekip prej gjashtë prokurorësh ka filluar hetimet. Ka 20 të dyshuar, dhe një pjesë nga të janë arrestuar. Ekipet e Kryqit të Kuq dhe institucionet tjera po ofrojnë ndihmë për familjarët e të lënduarve që presin para spitaleve. Ndihmë kanë ofruar edhe nga vendet fqinje dhe BE-ja.
LEXO MË SHUMË NË: