J.D Vance sulmon BE nga Budapesti: Burokratët e Brukselit po ndërhyjnë në Hungari

Të martën, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance hodhi benzinë mbi zjarrin e fushatës në Hungari, duke akuzuar hapur Brukselin për ndërhyrje në politikën hungareze, vetëm pak ditë para zgjedhjeve vendimtare të 12 prillit. Nga Budapesti, Vance doli në krah të kryeministrit Viktor Orban, një nga aleatët më të fortë të linjës “MAGA” në Europë, por mohoi se vizita e […]

Prill 7, 2026 - 17:00
J.D Vance sulmon BE nga Budapesti: Burokratët e Brukselit po ndërhyjnë në Hungari

Të martën, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance hodhi benzinë mbi zjarrin e fushatës në Hungari, duke akuzuar hapur Brukselin për ndërhyrje në politikën hungareze, vetëm pak ditë para zgjedhjeve vendimtare të 12 prillit.

Nga Budapesti, Vance doli në krah të kryeministrit Viktor Orban, një nga aleatët më të fortë të linjës “MAGA” në Europë, por mohoi se vizita e tij kishte për qëllim të ndikonte votën.

“Dua t’u dërgoj një sinjal burokratëve në Bruksel që kanë bërë gjithçka për të mbajtur poshtë popullin hungarez, vetën sepse nuk u pëlqen lideri I tyre, një burrë që në të vërtetë u ka qëndruar pranë njerëzve” tha ai.

Por reagimi i opozitës hungareze nuk vonoi. Rivali kryesor i Orbanit, Pëter Magyar, i partisë Tisza, e quajti deklaratën e Vance një ndërhyrje të pastër.

“Asnjë vend i huaj nuk duhet të ndërhyjë në zgjedhjet tona. Ky është vendi ynë,” shkroi ai.

Madje shkoi edhe më tej, historia e Hungarisë, sipas tij, nuk shkruhet “as në Uashington, as në Moskë, as në Bruksel”.

Deklaratat e Vance përputhen pothuajse fjalë për fjalë me narrativën që Viktor Orban ka ndërtuar prej kohësh: një Hungari që “sulmohet” nga Brukseli.

Nga ana tjetër, Orban e ka portretizuar kundërshtarin si një figurë të lidhur me BE-në dhe madje edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Në këtë sfond, sipas mediave të huaja, beteja nuk është vetëm politike, është edhe një luftë narrativesh.

Trump dhe mbështetja “MAGA”

Presidenti amerikan Donald Trump ka dalë disa herë në mbështetje të Orbanit, duke e cilësuar si një nga liderët më të fortë në botë.

Vance shkoi edhe më tej, duke e quajtur Orbanin “shembull për Europën”, sidomos në çështjen e energjisë, duke mbrojtur linjën e tij për të vazhduar furnizimin me energji nga Rusia.

Në këndvështrimin e tij liderët e kryeqyteteve kryesore të Perëndimit duhet të kishin zbatuar politikat e Orbanit dhe kështu nuk do të përjetonin një krizë energjie.

Por sondazhet tregojnë tjetër histori

Megjithatë, në fund të fundit, shifrat nuk po flasin në favor të Orbanit.

Sipas sondazheve, gara është bërë e ashpër dhe ai po mbetet pas. Opozita po fiton terren duke goditur ekonominë e dobët dhe akuzat për korrupsion.

Madje, analistët paralajmërojnë se vizita e Vance mund të ketë efekt të kundërt.

“Perceptimi për administratën amerikane është bërë më negativ në Hungari. Kjo vizitë mund ta dëmtojë më shumë Orbanin sesa ta ndihmojë,” vlerësojnë ekspertët.