Juventus – Spalletti, lajmi i fundit nga Italia
Luciano Spalletti do të mbetet në krye të Juventusit për kohë të gjatë. Klubi i madh i futbollit nga Torino ka njoftuar të premten që ka vazhduar kontratën me trajnerin Spalletti deri më 30 qershor të vitit 2028. “Jemi të lumtur që kemi vazhduar kontratën me Spallettin edhe për dy vjet të tjera”, ka thënë […]


Luciano Spalletti do të mbetet në krye të Juventusit për kohë të gjatë.
Klubi i madh i futbollit nga Torino ka njoftuar të premten që ka vazhduar kontratën me trajnerin Spalletti deri më 30 qershor të vitit 2028.
“Jemi të lumtur që kemi vazhduar kontratën me Spallettin edhe për dy vjet të tjera”, ka thënë Damien Comolli, shefi ekzekutiv i Juventusit.
“Prej se Spalletti i është bashkuar familjes sonë të shkëlqyer në Juventus, ai menjëherë ka pasur ndikim pozitiv te lojtarët, në gjithë klubin dhe në gjithë komunitetin. Ishte menjëherë e qartë për të gjithë që Luciano është personi i duhur për ta udhëhequr ekipin në rrugën e rritjes. Stili i tij ambicioz i lojës reflekton pritjet e klubit tonë dhe të tifozëve. Vlerat e tij prezantojnë identitetin tonë. Rrjedhimisht kemi vendosur të vazhdojmë së bashku përtej marrëveshjes që kishim më parë”, ka shtuar Comolli.
Spalletti është prej emrave më të njohur të futbollit italian. E ka drejtuar Italinë prej vitit 2023 e deri në vitin 2025. Drejtimin e Juves e mori më 30 tetor të vitit të kaluar. Ka drejtuar edhe Napolin, Interin, Romën, Udinesen, Anconan, Venezian, Sampdorian dhe Empolin. Disa prej këtyre skuadrave i ka udhëhequr në periudha të ndryshme. Jashtë Italisë ka punuar te Zenit St Petersburgu në Rusi, ku qëndroi prej viti 2009 e deri në vitin 2014.
67-vjeçari ka njoftuar së pari lojtarët për vazhdimin e kontratës.
“Dua të dini ju të parët para se të dal në publik. Natyrisht, kemi sfida para, por jam i bindur se me ju do të jenë sfida të shkëlqyera. Do të përballem me sfidat me përkushtimin dhe forcën tuaj, ashtu siç keni vepruar gjithnjë”, u ka thënë Spalletti lojtarëve të Juves.
Ai e zëvendësoi Igor Tudorin te Juventusi.
Nën drejtimin e Spallettit, Juve ka fituar 17 prej 31 ndeshjeve të deritashme. Ka pësuar gjashtë humbje dhe ka barazuar në tetë.
Pjesë e Juventusit është edhe Edon Zhegrova. Dhe nuk dihet nëse vazhdimi i kontratës së Spallettit është lajm i mirë për Zhegrovën. Së fundi sulmuesi i krahut nuk po aktivizohet fare te “Zonja e Vjetër”. Ndonëse në momente i ka besuar Zhegrovës, Spalletti kryesisht e mban në stol kosovarin, njëjtë si Tudori.