Kallëzim penal ndaj shoferit të autobusit, xhiroi ambientet brenda kazermës së Tetovës
Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër personit A.Sh. (61-vjeç) nga fshati Studeniçan i Shkupit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “hyrje e paautorizuar në objekte ushtarake dhe bërja e skicave apo vizatimeve të objekteve ushtarake dhe mjeteve luftarake”. Sipas raportit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 17 […]
Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër personit A.Sh. (61-vjeç) nga fshati Studeniçan i Shkupit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “hyrje e paautorizuar në objekte ushtarake dhe bërja e skicave apo vizatimeve të objekteve ushtarake dhe mjeteve luftarake”.
Sipas raportit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 17 shkurt 2025. I denoncuari, në cilësinë e shoferit të një autobusi nga një kompani me të cilën Ministria e Mbrojtjes kishte kontratë për transport të organizuar ndërgarnizonal, ka kryer veprime të ndaluara brenda zonës ushtarake.
”Gjatë qëndrimit në rrethin e kazermës së Tetovës, personi në fjalë ka bërë tri video-regjistrime, të cilat më pas i ka shpërndarë përmes një aplikacioni në celular,” thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.
Ky rast përbën shkelje të rëndë të protokolleve të sigurisë shtetërore, pasi incizimi i objekteve dhe pajisjeve ushtarake pa leje paraprake është rreptësisht i ndaluar me ligj. Tashmë ndaj 61-vjeçarit do të vijojnë procedurat ligjore pranë organeve të drejtësisë.