Kalon në parim edhe Projektligji për sigurime shëndetësore
Me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme. “Është një hap i rëndësishëm


Me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme.
“Është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët. Me sigurimin e detyrueshëm çdo qytetar do të ketë qasje të barabartë në shërbimet bazë shëndetësore, duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare individuale dhe duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë”, tha Vitia.
Ai tha se ky projektligj po ashtu siguron fonde të qëndrueshme për sistemin shëndetësor.
“Me këtë ligj themelohet Fondi i kujdesit të detyrueshëm shëndetësor, përfshirë funksionimin, financimin e Fondit të kujdesit të detyrueshëm shëndetësor të Kosovës”, tha ai.
Pas miratimit në parim të Projektligjit në fjalë, shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, propozoi mocion që amendamentet e këtij projektligji të shkojnë te komisioni funksional deri më datë 17.04.
“Komisioni deri më datë 20 prill shqyrton projektligjin dhe raportin me rekomandime ia paraqet komisioneve të përhershme, të cilat deri më 21 prill duhet të shqyrtojnë projektligjin dhe raportet me rekomandime t’ia paraqesin komisionit funksional. Ky komision duhet të paraqes deri më 22 prill raportin me rekomandime për projektligjin e sigurimit në shqyrtim të dytë në seancën e 23 prill”, tha Nagavci.
Me 63 vota për, 22 kundër dhe zero abstenime, Kuvendi miratoi propozimin që shqyrtimi i projektligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të bëhet me shmangie nga afatet e përcaktuara, sipas propozimit që bëri shefja e GP të LVV.
Kryetarja Haxhiu kërkoi nga komisioni funksional dhe komisionet e përhershme që ta shqyrtojnë projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime.
