Kamberi: Serbia diskriminon shqiptarët në Luginë të Preshevës në çdo sektor
Shaip Kamberi, Deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ka reaguar ndaj emërimit të Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës në Preshevë, Komunë kjo me shumicë shqiptare, duke e cilësuar këtë veprim si një tregues të politikës diskriminuese të Serbisë. ‘’Emërimi i gjykatëses serbe në krye të Gjykatës për kundërvajtje në Preshevë, është edhe një tregues
Shaip Kamberi, Deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ka reaguar ndaj emërimit të Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës në Preshevë, Komunë kjo me shumicë shqiptare, duke e cilësuar këtë veprim si një tregues të politikës diskriminuese të Serbisë.
‘’Emërimi i gjykatëses serbe në krye të Gjykatës për kundërvajtje në Preshevë, është edhe një tregues, në mesin e shumë tjerëve të politikës diskriminuese të Serbisë në Luginë të Preshevës’’, tha Kamberi për FrontOnline.
Sipas Kamberit, ky emërim nuk është një veprim i izoluar, por pjesë e një politike më të gjerë të shtypjes dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, e cila ka vazhduar për më shumë se dy dekada. Një prej hapave që Kamberi thekson është shuarja e Gjykatës Themelore dhe e Prokurorisë Themelore në Preshevë dhe Bujanoc.
‘’Fillimisht ishte shuarja e Gjykatës themelore në Preshevë e përcjellë edhe me shuarjen e prokurorisë themelore në Preshevë, por edhe në Bujanoc’’, tha Kamberi.
Po ashtu, Kamberi ka përmendur edhe disbalancin e theksuar etnik në sistemin gjyqësor, si në rastin e Gjykatës së Bujanocit, ku prej 13 gjykatësve, vetëm 3 janë shqiptarë. Një tjetër shqetësim që Kamberi ka ngritur është përdorimi i gjuhës shqipe në proceset gjyqësore.
‘’ Disproporcioni në mesin e të punësuarve në gjykatën e Bujanocit, ku prej 13 gjykatësve janë vetëm tre shqiptarë, pamundësia e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në proceset gjykuese’’, deklaron Kamberi.
Ai ka përmendur edhe faktin që nuk janë emëruar zëvendësprokurorë shqiptarë për të zëvendësuar ato që ishin më parë, duke theksuar se ky është një tjetër element i diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve.
‘’Mos zëvendësimi i tre zëvendësprokurorëve shqiptarë me kandidatë tjerë shqiptarë, paraqesin elementet kyçe të diskriminimit që qeveria serbe e ushtron ndaj shqiptarëve në sferën e gjyqësorit. Këtë emërim nuk duhet parë vetëm si veprim të izoluar, por, si një tërësi të veprimeve në sferën e gjyqësorit dhe administratës shtetërore si tërësi, ku punësimi apo përzgjedhja e shqiptarëve në insttucionet e shtetit paraqitet si sfidë që po zgjat mbi 23 vite’’, tha Kamberi.
Kamberi ka kritikuar gjithashtu dështimin e Serbisë për të realizuar Planin Shtatë Pikësh, i cili ishte miratuar në vitin 2013 dhe synonte avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, përfshirë integrimin e tyre në administratën shtetërore dhe forcat e rendit. Ky plan, i cili kishte mbështetje nga OSBE, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, synonte të krijonte mundësi për përfaqësim më të barabartë të shqiptarëve në institucionet e Serbisë deri në vitin 2026. Megjithatë, Kamberi thekson se deri tani, realizimi i këtij plani ka dështuar, dhe asnjë masë konkrete për përmirësimin e kushteve për shqiptarët në institucione nuk është marrë. Edhe pse OSBE, BE dhe Këshilli i Evropës janë përfshirë në këtë proces, ata po heshtin, duke i dhënë Serbisë mundësinë për të shmangur detyrimet e saj dhe për të vazhduar diskriminimin.
‘’ Plani Shtatë pikësh, të cilin qeveria e Serbisë e kishte aprovuar më 2013, shihej si mundësi e avancimit të të drejtave të shqiptarëve, por ja që prej atëherë ai mbetet i parealizuar. Këshilli kombëtar shqiptarë, më 2022, me ndërmjetësimin e OSBE, Këshillit të Evropës dhe me ndihmën e Delegacionit të BE në Serbi, kishte hartuar një Plan aksional për implementimin e “Planit shtatë pikësh”. Synimi ishte që në periudhën 2022 deri më 2026 të realizohet integrimi i shqiptarëve në këto institucione. Tani që jemi në fund të vitit 2024, realizimi i këtij plani as që ka filluar, ndërsa OSBE, BE dhe Këshilli i Evropës po heshtin, ndërkohë që Serbia, duke blerë kohë, po i shmanget obligimeve të marra’’, vuri në pah Kamberi.
Kamberi ka theksuar se diskriminimi ndaj shqiptarëve nuk është i kufizuar vetëm në gjyqësor, por ndikon në çdo aspekt të jetës publike, duke përfshirë arsimin, kulturën, informacionin, zhvillimin ekonomik dhe administratën shtetërore.
‘’Diskriminimi është shumëvjeçar dhe prek çdo sferë të jetës publike. Diskriminimi i vrazhdë vërehet në arsim, në kulturë, në informim, në zhvillim ekonomik, në privatizimin e dështuar të kapaciteteve ekonomike shtetërore’’, tha Kamberi.
Kamberi gjithashtu ka përmendur militarizimin e rajonit, duke thënë se ai është përdorur si një tjetër mjet për të marginalizuar shqiptarët dhe për të krijuar një klimë të frikës dhe pasigurisë në Luginën e Preshevës.
‘’Militarizimi i rajonit, bashkë me këto forma të tjera të diskriminimit, të cilëve i janë shtuar edhe mosnjohja e diplomave dhe pasivizimi po përdoren i metoda të shpopullimit të Luginës së Preshevës nga shqiptarët’’, përfundoi Kamberi.