Kërcënimet e Trump për centralet energjetike, Presidenti i KE: Do ishte e paligjshme
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, paralajmëroi të hënën se shënjestrimi i objekteve energjetike do të ishte “i paligjshëm dhe i papranueshëm”, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të godiste termocentralet iraniane nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet. Pa iu referuar drejtpërdrejt komenteve të Trump, Costa tha se “shënjestrimi i infrastrukturës civile, përkatësisht i […]
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, paralajmëroi të hënën se shënjestrimi i objekteve energjetike do të ishte “i paligjshëm dhe i papranueshëm”, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të godiste termocentralet iraniane nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet.
Pa iu referuar drejtpërdrejt komenteve të Trump, Costa tha se “shënjestrimi i infrastrukturës civile, përkatësisht i objekteve energjetike, është i paligjshëm dhe i papranueshëm”.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se ushtria amerikane do të veprojë gjithmonë në përputhje me ligjin, por ekspertët ligjorë kanë thënë për CNN-së se sulmet ndaj infrastrukturës civile, siç janë objektet e energjisë, ka gjasa të përbëjnë një krim lufte.
“Popullsia civile iraniane është viktima kryesore e regjimit iranian. Ajo do të ishte gjithashtu viktima kryesore e një zgjerimi të fushatës ushtarake”, shkroi Costa në X.
Të dielën, Trump duket se kërcënoi infrastrukturën kritike të Iranit, duke shkruar në mediat sociale, “E marta do të jetë Dita e Termocentralit dhe Dita e Urës, të gjitha të mbështjella në një, në Iran”, ndërsa i bëri thirrje Teheranit të “hapë Ngushticën e Mallkuar”.
Costa tha se Bashkimi Evropian i kërkon gjithashtu Iranit, i cili ka synuar objektet energjetike në vendet e Gjirit Persik, t’u “dhënë fund sulmeve të tij kundër vendeve në rajon dhe të lejojë rivendosjen e lirisë së plotë të lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit”.