Kolosi i madh Ramiz Abdyli, një jetë për komb e atdhe

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u mbajt një Mbledhje komemorative për të nderuar kujtimin dhe veprën kolosale të historianit prof. dr. Ramiz Abdylit. Në praninë e familjarëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, ish-studentëve e miqve të tij, u vlerësua lartë puna shkencore e profesor Abdylit, kontributi i tij për historiografinë shqiptare, si […]

Prill 11, 2026 - 22:30
Kolosi i madh Ramiz Abdyli, një jetë për komb e atdhe

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u mbajt një Mbledhje komemorative për të nderuar kujtimin dhe veprën kolosale të historianit prof. dr. Ramiz Abdylit.

Në praninë e familjarëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, ish-studentëve e miqve të tij, u vlerësua lartë puna shkencore e profesor Abdylit, kontributi i tij për historiografinë shqiptare, si dhe angazhimi permanent në drejtim të zhvillimit të institucioneve arsimore e akademike. Në mesin e të pranishmëve të shumtë, ishin edhe rektorët e universiteteve “Nënë Tereza” në Shkup dhe “Fadil Sulejmani” në Tetovë, si dhe personalitete të shumta të shoqërisë civile, artistë dhe njerëz të politikës.

I ndjeri profesor Abdyli dha një kontribut të jashtëzakonshëm në ndriçimin e etapave të ndryshme të historiografisë shqiptare, sidomos të formësimit tonë kombëtar e shtetëror. Ikja në amshim më 23 shkurt të këtij viti parqet një humbje të madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë por edhe për institutet e historisë dhe universitetet shqiptare në Shkup, Tetovë e Prishtinë.

“Të gjithë kemi humbur njeriun e jashtëzakonshëm, pedagogun dinjitoz, studiuesin e palodhur, drejtuesin e pa kompromis në respektimin e vlerave dhe meritokracisë”, tha mes tjerash Laura Papraniku Bejtullau, sekretare shkencore e ITSHKSH-së. Profesor Abdyli, plotësoi më tej ajo, e ka fituar pavdekësinë e tij përmes shkencës, me rreth 30 tituj librash, me studime të thelluara dhe me edukimin e brezave dhe historianëve të shumtë. “Ai, ishte dhe mbetet një zë autoritar i historisë moderne shqiptare”, nënvizoi Papraniku Bejtullau.

Për meritat shkencore në fushë të studimeve të historisë shqiptare dhe për kontributin e profesor Abdylit në sendërtimin e institucioneve arsimore e shkencore folën historianët Fehmi Rexhepi dhe Qerim Dalipi, si dhe drejtor i ITSHKSH-së Besnik Emini. Abdyli e drejtoi këtë institucion shkencor, në periudhën e viteve 2008 -2010. Përveç tjerash, ai do të mbahet mend si themeluesi i revistës shkencore “Studime albanologjike”. Lidhur me këtë, drejtoi aktual i Institutit, prof. dr. Emini tha se “është me rëndësi të theksohet përkushtimi i tij që Instituti sa më parë të nxjerr revistën e vet shkencore. Kështu edhe ndodhi.

Në vitin 2009 doli numri i parë i revistës shkencore “Studime Albanologjike”, kryeredaktor i së cilës ishte vet profesori. Interesohej për anët teknike të redaktimit të saj e posaçërisht për shtypjen sa më cilësore”.
Një vështrim të detajuar mbi rrugëtimin profesional dhe jetësor të profesor Ramiz Abdylit, bëri historiani Qerim Dalipi, profesor në Universitetin e Tetovës.

Ndërkaq, historiani tjetër Fehmi Rexhepi ndau disa momente interesante nga bashkëpunimi me profesorin si koleg dhe bashkëpunëtor në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Pas viteve ’80-ta, ata patën themeluar revistën shkencore “Kosova” e cila botohej në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze dhe pati ndikim të madh në pasqyrimin e të vërtetave historike në arenën ndërkombëtare.

Publicisti Emin Azemi, foli për dimensionin intelektuale e patriotik të profesorit. Momente që prekën sallën dhe që i dhanë jehonë anës njerëzore të studiuesit dhe historianit Abdyli ishin rrëfimet e djalit të tij, Kastriotit.(INA)