Komuna e Manastirit më transparentja, ajo e Ohrit më pak
Komuna e Manastirit është më transparentja ndërsa ajo e Ohrit më pak, kjo mes tjerash theksohet në gjetjet e analizës së Transparency International Maqedoni për vitin 2025, transmeton Portalb.mk. Transparency International Maqedoni realizoi vlerësim pilot të indeksit të transparencës së vetëqeverisjes lokale, sipas metodologjisë së Transparency International, me qëllim të përcaktimit se sa transparente janë komunat […]
Komuna e Manastirit është më transparentja ndërsa ajo e Ohrit më pak, kjo mes tjerash theksohet në gjetjet e analizës së Transparency International Maqedoni për vitin 2025, transmeton Portalb.mk.
Transparency International Maqedoni realizoi vlerësim pilot të indeksit të transparencës së vetëqeverisjes lokale, sipas metodologjisë së Transparency International, me qëllim të përcaktimit se sa transparente janë komunat ndaj qytetarëve, si i publikojnë informacionet për punën e komunës, sa të qasshme janë këto informacione për qytetarët dhe në çfarë mënyre qytetarët mund të kenë qasje si në institucionet, ashtu edhe në shfrytëzimin e shërbimeve që ofron komuna.
Vlerësimi u bë mbi bazën e një pyetësori të përbërë nga 91 pyetje, që përfshin disa fusha të punës së komunave.
Si mostër u mor komuna më e madhe sipas numrit të banorëve në secilin prej rajoneve planifikuese, përkatësisht komunat: Aerodrom, Manastir, Veles, Kumanovë, Ohër, Strumicë, Tetovë dhe Shtip.
Ky indeks përfaqëson shumën e pikëve pozitive të fituara nga indikatorë që përfshijnë analizën e faqeve të internetit, dokumenteve, përgjigjeve ndaj kërkesave për qasje të lirë në informacione dhe një pasqyrë të drejtpërdrejtë të funksionimit të administratës, përkatësisht qendrave të shërbimeve, si dhe të dhëna të siguruara nga organe të tjera.
Gjetjet tregojnë se autoritetet lokale ende nuk janë në një nivel të lartë sa i përket transparencës dhe llogaridhënies, prandaj nevojiten përpjekje shtesë për të siguruar të dhëna në kohë mbi funksionimin e tyre dhe shërbimet që u ofrojnë qytetarëve.
Komuna më e vlerësuar është Manastiri me 67 pikë, e ndjekur nga Velesi me 60, Shtipi me 55, Strumica me 54, Kumanova me 51 pikë, Aerodromi me 49, Tetova me 43 pikë, ndërsa komuna më dobët e vlerësuar është Ohri me 39 pikë. Nota mesatare është 52.
Nga Transparency International Maqedoni theksojnë se një numër i madh informacionesh mungojnë në faqet e internetit të komunave për të krijuar një pasqyrë të qartë se sa kontribuohet në zhvillimin rajonal dhe se sa nga mjetet e destinuara për financimin e komunave menaxhohen në mënyrë të rregullt dhe orientohen drejt aktiviteteve që ndikojnë pozitivisht në jetën e qytetarëve.
Analiza e plotë gjendet KËTU.