Kostadinovski: Askush nuk dëshiron ta shfuqizojë apo ta pakësojë përdorimin e gjuhës shqipe
Pretendimet se dikush dëshiron ta shfuqizojë apo ta zvogëlojë përdorimin e gjuhës shqipe janë të pasakta, është i prerë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili thekson se po krijohen frikëra dhe tensione politike të pabazuara për këtë çështje. Në një intervistë për emisionin “Me Fakte” në MRT 1, ai u ndal te temat […] The post Kostadinovski: Askush nuk dëshiron ta shfuqizojë apo ta pakësojë përdorimin e gjuhës shqipe appeared first on InfoShqip.com.
Pretendimet se dikush dëshiron ta shfuqizojë apo ta zvogëlojë përdorimin e gjuhës shqipe janë të pasakta, është i prerë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili thekson se po krijohen frikëra dhe tensione politike të pabazuara për këtë çështje.
Në një intervistë për emisionin “Me Fakte” në MRT 1, ai u ndal te temat aktuale lidhur me vendimet e Gjykatës, pozicionin e pushtetit gjyqësor, Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, Marrëveshjen Kolektive për Kulturën, padinë kushtetuese dhe reformat e nevojshme për forcimin e institucionit.
“Dua të drejtoj një apel sepse po shoh që po manipulohet shumë me këtë çështje. Askush nuk do ta prekë gjuhën shqipe. Gjykata Kushtetuese ekziston për të ndihmuar mbrojtjen e të drejtave të garantuara kushtetuese dhe jo shfuqizimin e tyre. Ato janë kategori kushtetuese, prandaj nuk i pranoj kualifikimet se dikush dëshiron ta shfuqizojë, ta pakësojë përdorimin apo ta rrezikojë gjuhën shqipe. Këto janë absolutisht të pasakta,” tha Kostadinovski.
Ai shtoi se vendimet e Gjykatës do ta lehtësojnë zbatimin praktik të të drejtave.
“Vendimet tona mund vetëm ta lehtësojnë zbatimin e gjuhës shqipe, kështu që bashkëqytetarët tanë shqiptarë të jenë të qetë — askush nuk do ta prekë gjuhën,” u shpreh kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Kostadinovski theksoi gjithashtu se mendimi i Komisionit të Venecias nuk duhet të interpretohet në mënyrë selektive, pasi ai përmban edhe lëvdata, edhe vërejtje.
“Së pari, Komisioni i Venecias vëren ndryshimin nga Ligji i vitit 2008. Ky ligj i vitit 2018 e zgjeron ndjeshëm përdorimin e gjuhës shqipe dhe Komisioni thotë se kjo është për t’u lëvduar, madje përshëndet vullnetin e autoriteteve në Maqedoni për avancimin e gjuhës së komuniteteve. Por, Komisioni i Venecias thotë gjithashtu se me disa dispozita në fusha të caktuara është shkuar shumë larg,” tha ai.
Kostadinovski përsëriti se Gjykata Kushtetuese fillimisht do të mbajë një seancë përgatitore për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe se lënda do të jetë në rend dite pas plotësimit të përbërjes së plotë të Gjykatës, pasi është konstatuar se për çështje të ndjeshme si kjo, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë me përbërje të plotë./INA/
The post Kostadinovski: Askush nuk dëshiron ta shfuqizojë apo ta pakësojë përdorimin e gjuhës shqipe appeared first on InfoShqip.com.