Kryeparlamentari turk në Shkup: Synimi ynë është rritja dhe zhvillimi i miqësisë me të gjitha vendet e Ballkanit

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Türkiyes (TBMM), Numan Kurtulmuş, i cili po qëndron për një vizitë treditore në Maqedoninë e Veriut, ka deklaruar se filozofia themelore e Türkiyes në lidhje me Ballkanin është garantimi, rritja dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit, raporton Anadolu. Kryeparlamentari turk vizitën e tij zyrtare në Shkup e filloi […]

dhjetor 21, 2024 - 16:00
 0  3
Kryeparlamentari turk në Shkup: Synimi ynë është rritja dhe zhvillimi i miqësisë me të gjitha vendet e Ballkanit

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Türkiyes (TBMM), Numan Kurtulmuş, i cili po qëndron për një vizitë treditore në Maqedoninë e Veriut, ka deklaruar se filozofia themelore e Türkiyes në lidhje me Ballkanin është garantimi, rritja dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit, raporton Anadolu.

Kryeparlamentari turk vizitën e tij zyrtare në Shkup e filloi me një takim me homologun e tij Afrim Gashi, të cilët më pas u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

Kurtulmuş u shpreh i kënaqur që ka realizuar takim të frytshëm kokë më kokë dhe midis delegacioneve.

Ai e quajti si të rëndësishme dhe kuptimplotë faktin që kryeparlamentari Gashi vizitën e tij të parë bilaterale jashtë vendit e ka realizuar në Türkiye në muajin tetor, duke shtuar se marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut kanë qenë të palëkundura që nga shpallja e pavarësisë së vendit.

“Mund të themi qartë se bëhet fjalë për një marrëdhënie që vazhdimisht zhvillohet”, tha kryeparlamentari turk.

“Po ashtu, bashkëpunimi ynë vazhdon të rritet në shumë fusha, duke përfshirë tregtinë dhe industrinë e mbrojtjes”, shtoi ai.

Duke theksuar se më së shumti turistë në Maqedoninë e Veriut vijnë nga Türkiye, Kurtulmuş tha se, “Shërbimet dhe projektet e kryera nga TIKA, Instituti Yunus Emre dhe Fondacioni Maarif në shumë vende të Maqedonisë së Veriut, kontribuojnë në zhvillimin dhe ngritjen e vendit”.

Ai tha se synojnë që marrëdhënia aktuale e mirë midis qeverive të vazhdojë edhe në nivel ndërparlamentar dhe punimet të përafrohen edhe më tej duke përdorur edhe diplomacinë parlamentare.

“Filozofia themelore e Türkiyes në lidhje me Ballkanin që nga shpërbërja e Jugosllavisë është garantimi, rritja dhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit”, deklaroi Kurtulmuş, duke shtuar se synimi i Türkiyes është rritja dhe zhvillimi i miqësisë me të gjitha vendet e Ballkanit.

Kryetari i parlamentit turk tha se zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve të rajonit nëpërmjet negociatave të bazuara në miratimin reciprok është një nga perspektivat kryesore të Türkiyes.

“Meqenëse i kemi ende të freskëta traumat që ndodhën pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe që të mos biem në një situatë të tillë, konsideroj që vëllazëria, miqësia, paqja dhe bashkëpunimi duhet të jetë interes i përbashkët midis të gjitha vendeve të Ballkanit”, u shpreh Kurtulmuş.

“Për ecjen e Ballkanit me hapa më të shpejtë në proceset e zhvillimit, ne si Türkiye jemi të gatshëm të bëjmë çdo detyrë që i takon një fqinji dhe miku”, theksoi ai.

Kryeparlamentari turk shprehu dëshirën për një zgjidhje të drejtë të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, konflikt i cili, siç tha ai, prek edhe rajonin, si dhe theksoi se Türkiye që nga fillimi ka luajtur një rol ndërmjetësues në këtë konflikt për përfundimin e tij sa më parë.

Ai shprehu keqardhje për dëmin në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Kiev pas një sulmi rus gjatë ditës së djeshme.

Kurtulmuş përmendi edhe rënien e regjimit të Bashar Asadit në Siri, duke shtuar se Türkiye po bën detyrën e saj për vendosjen e paqes dhe ndërtimin e procesit demokratik që do të përfshijë të gjithë sirianët pa dallim përkatësie etnike, fetare ose politike.

Duke folur për sulmet izraelite në Gaza, ai tha se bota nuk ka arritur ta ndalë këtë gjenocid në enklavën palestineze pavarësisht se ai po vazhdon prej më shumë se një viti para syve të botës. Ai theksoi se Türkiye po bën çdo përpjekje për vendosjen e paqes për palestinezët.

Ndryshe, Kurtulmuş arriti sot në Shkup së bashku me një delegacion në të cilin bëjnë pjesë nënkryetari i Grupit Parlametar të AK Partisë Bahadır Yenişehirlioğlu, kryetari i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i AK Partisë Ahmet Kılıç, deputeti i AK Partisë Kayhan Türkmenoğlu, deputeti i AK Partisë Yusuf Ahlatcı, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i CHP-së Vecdi Gündoğdu, deputeti i MHP-së Fevzi Zırhlıoğlu, deputeti i Partisë Saadet Mustafa Bilici dhe ambasadori i Türkiyes në Shkup Fatih Ulusoy.

Pas takimit në shtëpinë ligjvënëse me Gashin, Kurtulmuş gjatë ditës do të marrë pjesë në programin e organizuar me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut.