Kurti vlerëson mbështetjen e Holandës për Kosovën
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Holandës në Kosovë për festimin e Ditës së Mbretit. Ai mes tjerash ka theksuar se Holanda mbetet një burim frymëzimi për Kosovën dhe rajonin. Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe mbështetjen e


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Holandës në Kosovë për festimin e Ditës së Mbretit. Ai mes tjerash ka theksuar se Holanda mbetet një burim frymëzimi për Kosovën dhe rajonin.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe mbështetjen e vazhdueshme të Holandës për Kosovën. Siç njofton ZKM, Kurti me këtë ras ka përmendur ndërhyrjen e NATO-s që ndaloi gjenocidin, njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e Holandës në integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe zhvillimin përmes programit MANTRA.
“Holanda ka qëndruar pranë Kosovës nga ndërhyrja e NATO-s deri te njohja e pavarësisë sonë. Mbështetja e saj për integrimin në organizatat ndërkombëtare është e paçmuar,” ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e qytetit të Mastrihtit, duke kujtuar se aty morën formë reformat themeluese të Bashkimit Evropian, si Traktati i Mastrihtit, i cili hapi rrugën për euron, një monedhë që përdoret edhe në Kosovë.
“Traktati i Mastrihtit ka pasur një ndikim të madh, jo vetëm për Evropën, por edhe për Kosovën, duke sjellë politikat e përbashkëta të BE-së në fushën e sigurisë dhe punëve të jashtme,” ka shtuar ai.
Sipas njoftimit, Kurti ka përmendur gjithashtu rëndësinë e Holandës në fushën e bujqësisë dhe teknologjisë, si dhe prodhimin e materialeve gjysmëpërçuese, duke e cilësuar këtë vend si një shembull të udhëheqjes inovative. Ai ka theksuar se epoka e Artë e Holandës, që filloi në shekullin e 17-të, vazhdon të reflektohet edhe sot në shoqërinë moderne.
“Holanda vazhdon të jetë një burim frymëzimi për ne, si anëtare themeluese e NATO-s dhe BE-së, duke treguar udhëheqje të qëndrueshme dhe progresive,” ka përfunduar Kurti.