“Kush është i radhës” kërkon debat të gjerë qytetar për reforma konkrete në RMV

Iniciativa “Kush është i radhës” thotë se nevojitet një ndryshim urgjent sistemik në Maqedoninë e Veriut. “Nëse ajri më i ndotur në botë, një vrasës i kudondodhur, por i padukshëm, nuk ishte i mjaftueshëm, këtu janë edhe fenomenet devijante, të cilat janë të preferuarat e sistemit të korruptuar për të na shkelur fizikisht në rrugë”, […]

shkurt 3, 2025 - 21:00
 0  4
“Kush është i radhës” kërkon debat të gjerë qytetar për reforma konkrete në RMV
Protesta për vdekjen e Frosina Kulakovës në aksident. Foto: Portalb.mk

Iniciativa “Kush është i radhës” thotë se nevojitet një ndryshim urgjent sistemik në Maqedoninë e Veriut. “Nëse ajri më i ndotur në botë, një vrasës i kudondodhur, por i padukshëm, nuk ishte i mjaftueshëm, këtu janë edhe fenomenet devijante, të cilat janë të preferuarat e sistemit të korruptuar për të na shkelur fizikisht në rrugë”, thonë nga kjo nismë. Ata shtojnë se të vetëdijshëm për nevojën e reformave të mëdha në një sistem që çdo ditë dëshmohet si i papërshtatshëm, madje as për mbrojtjen fizike të shëndetit dhe sigurisë, kërkojnë hapjen e një debati të gjerë qytetar, nga i cili do të dalin kërkesa të qarta dhe të sakta që do të ofrojnë zgjidhje konkrete, afatgjata dhe sistemike, transmeton Portalb.mk.

Ndërkohë, iniciativa ndan shpjegime të zgjeruara mbi problemet e identifikuara që po ua përcjellim në vijim:

Pandëshkueshmëria e sistemit dhe mosfunksionimi i mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve në konflikt me ligjin

Korrupsioni në institucione ka çuar në një pandëshkueshmëri të përhershme, ku përgjegjësia për veprat penale dhe kriminale shpesh shmanget. Kjo gjendje nuk është vetëm rezultat i elitave të korruptuara, por edhe i një sistemi institucional që nuk funksionon në shërbim të qytetarëve. Pushteti politik dhe financiar ka krijuar një strukturë që i vë institucionet në funksion të mbrojtjes së të privilegjuarve, në vend që t’i vendosë ato në shërbim të drejtësisë. Gjyqësori, i cili duhet të jetë shtylla e rendit juridik, mbetet i pafuqishëm përballë keqpërdorimeve sistemike.

Ky problem është veçanërisht i dukshëm kur bëhet fjalë për fëmijët në konflikt me ligjin. Në vend që të ketë ndërhyrje të hershme dhe mbështetje të përshtatshme, ata lihen në mëshirën e një sistemi që nuk funksionon. Pa programe të personalizuara dhe veprim në kohë, ata vazhdojnë të kryejnë vepra që mund të kenë pasoja tragjike për shoqërinë.

Rasti i fundit nga Bulevardi. Partizanska e dëshmon këtë – autori, i cili që në moshë të re kishte qenë në konflikt me ligjin, kreu një tjetër vepër penale si i rritur i ri, dhe pavarësisht një mase edukuese-korrigjuese të dhënë, për muaj të tërë mbeti i lirë duke vazhduar aktivitetet kriminale. Kjo është një tjetër dëshmi e dështimit të sistemit.

Nëse duam një shoqëri të sigurt, duhet t’i japim fund pandëshkueshmërisë dhe të krijojmë mekanizma të vërtetë për parandalim, resocializim dhe mbrojtje – jo vetëm për të rinjtë, por për të gjithë shoqërinë.

Siguria e pamjaftueshme në qytete

Qytetet tona janë shkatërruar. Shkupi, Tetova, Manastiri, Velesi, Ohri, Gostivari – asnjë prej tyre nuk ofron më një jetë normale. Në vend që të jenë hapësira për solidaritet, ndarje kulturore dhe zhvillim të përbashkët, ato janë kthyer në arena të një beteje për mbijetesë. Të pasigurta, të ndotura, kaotike, të mbytura në korrupsion dhe kaos urbanistik, ato nuk u shërbejnë më qytetarëve – por interesave private.

Qytetet duhet të jenë për njerëzit, jo për makinat dhe strukturat kriminale që i kontrollojnë ato. Sot, është e rrezikshme të lëvizësh në rrugë – qoftë në këmbë, me biçikletë apo edhe me makinë. Trotoaret janë të rrezikshme, të mbushura me pllaka të thyera dhe pengesa. Hapësirat publike janë të rrezikshme, të pafunksion dhe të braktisura. Njerëzit që takojmë janë të rrezikshëm, sepse e dimë se pandëshkueshmëria e dhunuesve i inkurajon ata të vazhdojnë.

Mjaft me improvizime! Është koha për përgjegjësi dhe ndryshime konkrete që do t’i kthejnë qytetet në duart e atyre që u përkasin me të vërtetë – qytetarëve!

Glorifikimi i sjelljeve devijante

Sistemi ynë i ka braktisur të rinjtë. Arsimi, i cili duhet të jetë themeli i përparimit, është shkatërruar, duke krijuar breza që rriten në një krizë morale dhe sociale.

Por problemi nuk është vetëm te sistemi – është edhe te kultura që po krijojmë. Vit pas viti, jemi dëshmitarë të një prirjeje të rrezikshme: glorifikimit të sjelljeve devijante. Drejtimi i makinës me shpejtësi të lartë, shkatërrimi i hapësirës publike, mosrespektimi i vlerave themelore morale – të gjitha këto sjellje jo vetëm që nuk dënohen, por shpesh paraqiten si “cool”.

Kjo duhet të ndalet. Duhet të kuptojmë se nuk është “cool” të vozitësh me shpejtësi të lartë. Nuk është “cool” të vozitësh i dehur. Nuk është “cool” të shkatërrosh diçka që i përket të gjithëve! Ne kemi nevojë për një shoqëri ku respekti, përgjegjësia dhe kujdesi për komunitetin do të jenë vlera, jo diçka për t’u tallur. Është koha për ndryshime të vërteta në arsim, në institucione dhe në jetën e përditshme.

Këto qytete janë tonat. Kjo shoqëri është e jona. A do të vazhdojmë të lejojmë shkatërrimin e saj, apo do të luftojmë për një të ardhme që ofron vlera dhe siguri për të gjithë? Kjo gjeneratë nuk do ta pranojë shkatërrimin e saj!