LSDM: Qeveria të anulojë tenderët për anketa dhe t’i rialokojë paratë për Koçanin

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut përmes një kumtese për media ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se përderisa populli dhe shteti vajtojnë për tragjedinë e madhe në Koçan ku humbën jetën 59 të rinj dhe rreth 200 u plagosën, qeveria e DPMNE-së po shtyn tenderët për matjen e rejtingut dhe propagandë, shkruan Portalb.mk. “Po organizohen donacione […]

Mars 29, 2025 - 16:00
 0  6
LSDM: Qeveria të anulojë tenderët për anketa dhe t’i rialokojë paratë për Koçanin
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: BreizhAto në Canva

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriut përmes një kumtese për media ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se përderisa populli dhe shteti vajtojnë për tragjedinë e madhe në Koçan ku humbën jetën 59 të rinj dhe rreth 200 u plagosën, qeveria e DPMNE-së po shtyn tenderët për matjen e rejtingut dhe propagandë, shkruan Portalb.mk.

“Po organizohen donacione për të mbështetur familjet dhe qytetarët në Koçan, ndërsa qeveria e DPMNE-së po shpenzon 400 mijë euro për anketa dhe matjen e rejtingut të Mickoskit. Kjo nuk mjaftoi, kështu që ne shohim një shpallje të re tenderi për një tjetër projekt të shtrenjtë – vlerësimin e ndikimit në media, monitorimin e mediave, mediat sociale dhe vlerësimin e lajmeve. Qeveria po blen softuer për të vlerësuar lajmet e medias – qofshin ato pozitive, negative apo neutrale, dhe planifikon të mbledhë të dhëna gjithashtu për autorët”, thuhet në kumtesën e LSDM

A janë këto prioritetet e qeverisë?, pyesin nga Lidhja Social Demokrate.

“Nuk ka para për rroga, nuk ka para për zjarrfikës, për mjekë, për punëtorë, ka para vetëm për papaja, mango dhe rejtingun e Mickoskit. Pse të shpenzohen paratë e qytetarëve për monitorimin e mediave kur tashmë ka një shërbim profesional të press- klipingut në Qeveri? Qytetarët i njohin mirë metodat e regjimit të DPMNE-së dhe kjo është vetëm vazhdimësi e tyre. Si ndodh që qeveria DPMNE planifikon të përzgjedhë mediat si pozitive, negative apo neutrale, çfarë do të ndodhë nëse raportojnë negativisht, a do të ndëshkohen, do të heshtin? Qeveria po manifeston pandjeshmëri dhe shpërdorim në një kohë kur qytetarët mezi ia dalin mbanë dhe janë në pikëllim kolektiv” shkruan tutje në kumtesën e LSDM-së.

LSDM kërkon anulimin e menjëhershëm të tenderit për “softuerin e ndikimit mediatik” dhe tenderit për anketa.

Nga aty porosisin se ato para, së bashku me 400 mijë euro të parapara për anketa, duhet të jepen për të ndihmuar familjet dhe qytetarët e Koçanit. Sepse si theksohet n kumtesën e LSDM, tani është koha për solidaritet dhe përgjegjësi, jo për rejtingje dhe propagandë.

Ndryshe, qeveria ka shpallur tenderin për përzgjedhjen e një kompanie që duhet të zhvillojë softuer për vlerësimin e ndikimit mediatik dhe do të mundësojë vlerësimin e lajmeve të publikuara nëse janë pozitive, negative apo neutrale.

Në specifikacionin teknik të tenderit të publikuar në faqen e Byrosë së Prokurimit Publik pa specifikuar buxhetin e parashikuar, thuhet se kompania që do të përzgjidhet në tender duhet të ofrojë shërbimin e vlerësimit të ndikimit apo “clippingut në media, përkatësisht monitorimin, përzgjedhjen, prodhimin dhe shpërndarjen e njoftimeve në media të shkruara, elektronike, internet dhe rrjete sociale. Softueri duhet të ofrojë të dhëna për median që ka publikuar lajmin dhe emrin e autorit të lajmit.

“Qasja në ueb në njoftimet 24 orë në ditë duhet të ofrojë mundësinë e kërkimit, shënimit të fjalëve kyçe në njoftim, shfaqjes së burimit origjinal me link, mundësinë e krijimit të raporteve, mundësinë e vlerësimit të njoftimeve mediatike në kuptimin pozitiv, negativ dhe neutral, analizën sasiore online të njoftimeve sipas parametrave të caktuar”, thuhet në dokumentacionin teknik të tenderit.

Qeveria kërkon marrjen e informacionit në kohë reale, menjëherë pas publikimit dhe maksimumi dy orë pas publikimit, një modul të inteligjencës artificiale si dhe një aplikacion celular për të gjitha llojet e smartfonëve.

Tenderi është shpallur më 5 mars dhe është i hapur deri më 4 prill, deri kur edhe duhet të dorëzohen ofertat.