LDK-ja prezantoj 38 gra kandidate për deputete, Abdixhiku: Rruga drejt progresit tonë është shtruar nga gratë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur Forumin e Gruas në kuadër të fushatës “Turneu i Ndryshimit” në Prishtinë. Kandidati për kryeministër në radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se ndryshimi në trajtimin e grave të Kosovës është i domosdoshëm. Ai vlerësoi se gratë kanë luajtur rol kyç në progresin e vendit dhe premtoi mbështetje
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur Forumin e Gruas në kuadër të fushatës “Turneu i Ndryshimit” në Prishtinë.
Kandidati për kryeministër në radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se ndryshimi në trajtimin e grave të Kosovës është i domosdoshëm.
Ai vlerësoi se gratë kanë luajtur rol kyç në progresin e vendit dhe premtoi mbështetje për rritjen e përfaqësimit të grave, duke shtuar se LDK ka 38 gra të cilat do të jenë deputete në Kuvendin e Kosovës.
“Ndryshim rrënjësor se si të trajtojmë gratë e Kosovës, nuk mund të pranojmë faktin që 65 për qind e grave janë jo aktive. Nuk mund të pranojmë që kemi një sistem ku gruaja prapë punon dhe duhet të punojë. Nuk mund të pranojmë idenë e dhunës në familje që në mënyrë sistematike ushtrohet dhunë ndaj gruas. Gruaja ka guxuar të ndryshojë çdoherë sepse vetë rruga drejt progresit tonë është shtruar nga gratë të pafundme. E tjetra është që të mos ndalemi dhe të marrim atë që iu takon në shoqëri. Sfida juaj është edhe sfida ime, jam i lumtur që sot brenda LDK-së kemi gra me standarde të larta dhe kanë marrë guximin të përfaqësojnë politikën e Kosovës. Kemi 38 gra si asnjëherë më parë brenda LDK-së që do të jenë deputete të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Forumit të Grave të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, theksoi se kandidatet e partisë do të sjellin ndryshime për një të ardhme më të drejtë dhe të barabartë për gratë në Kosovë.
Ajo kërkoi mbështetje të jashtëzakonshme për gratë, duke i cilësuar ato të gatshme të drejtojnë shtetin.
“Kandidatet do të sjellin ndryshim, sot kemi mundësinë të festojmë që po bëjmë një kapitull të madh për Kosovën. Këto gra janë dëshmi e dëshirës për të siguruar një të ardhme më të drejtë dhe të barabartë për gratë në Kosovë. Kërkon një forcë të jashtëzakonshme dhe për këtë jemi për të treguar se gratë janë të gatshme të drejtojnë dhe të udhëheqnin shtetin. Në BE fëmijët qëndrojnë në shkollë dy herë më shumë se në Kosovë, ne dëshirojmë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë e njëjtë si në BE, prandaj kemi bërë programin gjithditor nëpër shkolla. Kur çmimet rriten gratë janë ato që sakrifikojnë, ulin standardet e tyre për të ushqyer familjen dhe kjo është e padrejtë. Shpesh përballen me paga të ulëta dhe mungesë të vëmendjes së politikave publike. Bashkë mund ta bëjmë të ardhmen dhe është koha të forcojmë mbështetjen për gratë. Premtojmë koeficientin 150 që në javën parë”, ka thënë Lushaku.