Liturgjia në shqip rikthehet në Rekën e Epërme pas gati 100 vitesh
Për herë të parë në gati një shekull, në Rekën e Epërme u zhvillua liturgjia dhe bekimi i ujërave në gjuhën shqipe, një ngjarje me peshë të thellë fetare, kulturore The post Liturgjia në shqip rikthehet në Rekën e Epërme pas gati 100 vitesh appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Për herë të parë në gati një shekull, në Rekën e Epërme u zhvillua liturgjia dhe bekimi i ujërave në gjuhën shqipe, një ngjarje me peshë të thellë fetare, kulturore dhe identitare për shqiptarët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut, shkruan Gazeta Flaka
Liturgjia e kënduar nga At Nikoll Kedhi, që u përhap përgjatë kreshtave të Rekës së Epërme, u përjetua si rikthim i një zëri të mohuar ndër dekada dhe si akt i drejtpërdrejtë i kujtesës kolektive. Bekimi i ujit nuk ishte vetëm rit fetar, por një simbol i gjallë i vazhdimësisë shpirtërore dhe kulturore të komunitetit shqiptar në këtë zonë.
Artin Spahiu e cilësoi ngjarjen si historike dhe me domethënie kombëtare:
“Dje, në Ditën e Ujërave të Bekuara, në zonën e Dibrës, u shkrua historia. Për herë të parë pas një shekulli, liturgjia dhe bekimi i ujit u dëgjuan në gjuhën shqipe – në gjuhën e nënës, në gjuhën e shpirtit dhe të identitetit tonë. Ky nuk ishte një rastësi, por fryt i një fryme të re dhe i një patriotizmi të sinqertë. Kur Shqipëria është mirë, të gjithë shqiptarët janë mirë.”
Sipas tij, kjo ditë ishte më shumë se ceremoni fetare:
“Ishte dëshmi se gjuha shqipe jeton, bekon dhe bashkon; se rrënjët tona janë të thella dhe shpirti shqiptar nuk shuhet kurrë.”
Edhe historiani Skender Asani theksoi dimensionin simbolik dhe historik të kësaj ngjarjeje, duke e lidhur drejtpërdrejt me trashëgiminë e Rekës së Epërme dhe figurën e Josif Bagerit:
“Në vendlindjen e Josif Bagerit, aty ku fjala shqipe u ngjiz si lutje dhe si rezistencë, liturgjia në gjuhën amtare u shfaq si akt i thellë shpirtëror. Për herë të parë pas thuajse një shekulli, ujërat e Radikës u bekuan në shqip dhe kjo gjuhë u bë urë mes tokës dhe qiellit, mes kujtesës dhe shpresës.”
Asani vlerësoi edhe rolin institucional në realizimin e ngjarjes:
“Ky bekim nuk ishte vetëm rit fetar, por pagëzim i kujtesës kolektive. U bë i mundur falë vizionit dhe përkushtimit të ambasadorit Denion Meidani dhe peshkopit të Antaninskit, z. Partenij, duke dëshmuar se liturgjia në shqip është akt shërimi, bashkimi dhe tolerance ndërfetare.”
Ndërkohë, Krenar Lloga e përshkroi ngjarjen si një përjetim të thellë njerëzor për shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë:
“Reka e Epërme dhe shqiptarët ortodoksë përjetuan një ndjenjë njerëzie që kumbon thellë brenda tyre, si besimtarë dhe si shqiptarë. Liturgjia dhe bekimi i ujit në gjuhën shqipe, për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, është rezultat i kontributit të ambasadorit Denion Meidani dhe peshkopit Partenij.”
Ai theksoi se veprime të tilla kanë peshë reale shoqërore:
“Mund të duket gjë e vogël, por janë pikërisht këto veprime që e bëjnë botën më të mirë dhe Maqedoninë më të drejtë. Populli maqedonas e di çfarë do të thotë mohimi i gjuhës amtare dhe çështja e kishës; prandaj kjo frymë tolerance është rruga më e sigurt për një shoqëri të ndërtuar mbi dinjitet dhe respekt.”
Sipas Arjanit Hoxha, kjo ngjarje shënoi një kthesë domethënëse:
“Për herë të parë pas thuajse një shekulli, përmes ritualit fetar në një festë ortodokse, liturgjia dhe bekimi i ujërave të Radikës në Rekën e Epërme u zhvilluan në të dy gjuhët, shqip dhe maqedonisht. Ky ishte një mesazh i qartë respekti, bashkëjetese dhe tolerance ndërfetare.”
Ai theksoi se bëhet fjalë për një ngjarje me peshë të thellë shpirtërore, kulturore dhe kombëtare, që forcon lidhjen me trashëgiminë dhe identitetin e secilit, duke falënderuar veçanërisht peshkopin Partenij për vizionin dhe përkushtimin e tij, si dhe ambasadorin Denion Meidani për iniciativën që e bëri të mundur këtë moment simbolik, por me peshë historike.
Ngjarja u bë e mundur me iniciativën e ambasadorit të Shqipërisë në RMV, Denion Meidani, dhe me mbështetjen e peshkopit të Antaninskit, z. Partenij, duke u shndërruar në një shembull konkret të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.
Bekimi i ujërave të Radikës në gjuhën shqipe mbetet një moment referencë për komunitetin dhe një rikthim i zërit të mohuar në hapësira që për dekada kishin heshtur. Gazeta Flaka
The post Liturgjia në shqip rikthehet në Rekën e Epërme pas gati 100 vitesh appeared first on Flaka, në çdo lajm... .