LSDM kallëzim penal dhe interpelancë ndaj Afrim Gashit, reagojnë nga kabineti i kryeparlamentarit
– Projektligji për huamarrjen prej 260 milionë eurosh (plus interesat) ka kaluar fazën e parë në Komisionin për Financave dhe Buxhetit, në një seancë të përfshirë nga tensione të ashpra politike dhe e braktisur tërësisht nga opozita. Kjo kr...
– Projektligji për huamarrjen prej 260 milionë eurosh (plus interesat) ka kaluar fazën e parë në Komisionin për Financave dhe Buxhetit, në një seancë të përfshirë nga tensione të ashpra politike dhe e braktisur tërësisht nga opozita.
Kjo kredi, e cila sipas autoriteteve është e parashikuar në buxhetin e shtetit, pritet të kalojë të premten për votim në seancë plenare me procedurë të shkurtuar.
Zhvillimi i seancës u shoqërua me debate të forta mbi ligjshmërinë e saj. Kredia u zhbllokua pasi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thirri seancën e komisionit, e cila u udhëhoq nga zëvendëskryetari Bojan Stojanoski.
Ky veprim ka ngritur alarmin te Lidhja Socialdemokrate (LSDM), e cila akuzon udhëheqësinë e Kuvendit për shkelje të rëndë të Rregullores së Punës. Sipas opozitës, ndërhyrja e Gashit dhe drejtimi nga Stojanoski ishin të paligjshme, pasi kryetarja legjitime e Komisionit ishte e pranishme në sallë.
Si kundërpërgjigje, LSDM-ja ka paralajmëruar kallëzim penal të menjëhershëm ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi si dhe nisjen e procedurave për interpelancë ndaj tij.
Nga ana tjetër, zëvendëskryetari i komisionit, Bojan Stojanoski, i hodhi poshtë këto pretendime. “LSDM është në dijeni se nuk ka asnjë argument për të mbështetur pretendimet e veta,” u shpreh ai.
Kabineti i Gashit: Akuzat janë të motivuara politikisht
Në një reagim zyrtar për mediat, Kabineti i Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, ka hedhur poshtë akuzat e opozitës duke i cilësuar ato si “të pabaza dhe politikisht të motivuara”.
Sipas kabinetit, të gjitha veprimet e ndërmarra janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Ata sqaruan se seanca u thirr për të respektuar afatet strikte procedurale dhe për të garantuar funksionimin normal të institucionit ligjvënës.
Epilogu i kësaj përplasjeje pritet të jepet të premten, ku përveç votimit të kredisë miliona euroshe, pritet të qartësohet edhe hapi i radhës i opozitës në rrugën e saj radikale institucionale.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.