Markovski: Sipas standardeve 80% e ndërtesave dhe objekteve në vend do të duhej të mbylleshin

Tragjedia në Koçan, ku zjarri përfshiu një ndërtesë që nuk i plotësonte standardet bazë të sigurisë, ngriti pyetje të shumta rreth rregulloreve të ndërtimit dhe mbrojtjes nga zjarri në Maqedoni. Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Prof. Dr. Goran Markovski për Racin.mk tha se, ky rast është tregues i dështimit sistematik në zbatimin e […]

Mars 18, 2025 - 18:01
 0  3
Markovski: Sipas standardeve 80% e ndërtesave dhe objekteve në vend do të duhej të mbylleshin
Cair, urbanizem, ndertime, ndertesa, banesa, komunikacion, mjedisi jetesor, planifikimi hapesinor

Tragjedia në Koçan, ku zjarri përfshiu një ndërtesë që nuk i plotësonte standardet bazë të sigurisë, ngriti pyetje të shumta rreth rregulloreve të ndërtimit dhe mbrojtjes nga zjarri në Maqedoni. Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Prof. Dr. Goran Markovski për Racin.mk tha se, ky rast është tregues i dështimit sistematik në zbatimin e standardeve ndërtimore, transmeton Portalb.mk.

“Praktikisht, asnjë standard për mbrojtjen e objekteve nga zjarri nuk është përmbushur. Rregullorja është e rreptë dhe parasheh kërkesa të shumta, por padyshim në këtë rast nuk janë respektuar”, tha Markovski. 

Ai theksoi se objekti në të cilin ndodhi tragjedia kishte çati prej druri, materiale të ndezshme dhe mbrojtje të pamjaftueshme nga zjarri. Sipas tij, nuk kanë qenë të pranishme masat elementare të sigurisë si aparatet e zjarrit, instalimet për heqjen e tymit, spërkatës, hidrantë, detektorë zjarri, gjë që ka rritur në mënyrë drastike rrezikun. 

“Jemi dëshmitarë të një objekti që nuk i plotëson plotësisht standardet. Daljet e zjarrit ishin të kufizuara, njëra ishte e mbyllur. Kjo nuk është thjesht një neglizhencë, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për jetën e njerëzve”, theksoi profesori. 

Një nga aspektet kyçe të sigurisë së ndërtesave, vecoi profesor Markovski, është nevoja për ndarje në çdo 25 metra katrorë. Ai shpjegoi se për të siguruar evakuim të sigurt dhe për të zvogëluar rrezikun e zjarrit, është e nevojshme vendosja e ndarjeve që do t’i lejojnë njerëzit të lëvizin më të sigurt brenda objektit, veçanërisht në rastet e evakuimeve emergjente. 

“Ndarjet janë një element i rëndësishëm që lehtëson qarkullimin e njerëzve në rast zjarri, pasi ato ofrojnë dalje shtesë dhe zvogëlojnë rrezikun e bllokimit në dhoma të caktuara. Ndarjet duhet të vendosen në çdo 25 metra katror, gjë që rekomandohet sipas standardeve evropiane”, tha Markovski. 

Pika tjetër kritike që përmendi profesori ishin dyert. Ai theksoi se shumë ndërtesa nuk kanë dyer adekuate evakuimi, gjë që paraqet rrezik serioz për sigurinë e njerëzve. Dyert në këto ambiente nuk janë të dizajnuara për t’u hapur shpejt në raste urgjente, madje disa janë të bllokuara. Profesor Markovski theksoi se këto probleme janë veçanërisht të theksuara në objektet e vjetra që nuk janë rinovuar në përputhje me standardet e reja. 

“Nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme detajeve, si dyert dhe dritaret, të cilat janë të një rëndësie vendimtare në situata emergjente, deklaroi profesori, duke shtuar se shumë nga ndërtesat e Maqedonisë së Veriut nuk i përmbushin standardet bazë të sigurisë. Ai theksoi se edhe objektet ku ai banon nuk kanë masa të mjaftueshme sigurie në rast zjarri. 

Gjithashtu, ai vë në dukje një problem sistematik në mbikëqyrjen dhe dhënien e lejeve për shfrytëzimin e objekteve. Sipas ligjeve aktuale, autoritetet mbikëqyrëse, të punësuara nga vetë investitorët, konfirmojnë respektimin e ndërtimit, gjë që hap hapësirë për konflikte interesi dhe abuzime. 

“Mbikëqyrja e objekteve të reja bëhet nga personi i caktuar nga investitori, që do të thotë se ekziston mundësia e nënshkrimit të raporteve pa verifikim aktual. Ky është një problem i madh që çon në tragjedi të tilla”, thotë Markovski. 

Ky aksident rihapi çështjen e gjendjes së mbrojtjes nga zjarri në Maqedoni. Sipas profesorit, nëse të gjitha standardet e përcaktuara do të zbatoheshin realisht, 80% e ndërtesave dhe objekteve në vend do të duhej të mbylleshin. 

“Këto janë masa mbrojtëse bazë që janë të përcaktuara me ligj, por nuk zbatohen. Një situatë të ngjashme shohim me planet urbane, infrastrukturën e trafikut dhe shumë aspekte të tjera të sigurisë publike”, shton ai. 

Markovski thekson se tema të tilla duhet të jenë vazhdimisht në fokus të opinionit, në vend që të errësohen nga çështjet ditore politike. 

“Duhet të flasim për këtë, sepse jetët janë në rrezik. Politika është një gjë, por probleme të tilla kanë pasoja direkte për qytetarët. Kjo tragjedi ka treguar se lakmia dhe neglizhenca e standardeve të sigurisë mund të çojë në pasoja katastrofike”, përfundoi profesori. 

Deri në këto momente sipas Prokurorisë 16 persona kanë përfunduar në paraburgim 48 orësh, mbi 20 persona janë të dyshuar, për dyshimet për vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme dhe nxitje e rrezikut të përgjithshëm.

Ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish-drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT), Goran Trajkovskit dhe 14 personave të tjerë, në procedurë paraprake nga Gjykata Themelore në Koçan, gjyqtari i ka dënuar me paraburgim në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish drejtori për Menaxhim  me kriza, Bekim Maksuti dhe ish sekretarja shtetërore Razmena Çekiç Duroviç.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovskitha se disa nga të dyshuarit për shkaktimin e kësaj ngjarje penale juridike kanë vdekur, disa janë në spital.